LAJMI I FUNDIT:

Të dhënat për Trepçën nga Arkivi Shtetëror i Kosovës

Të dhënat për Trepçën nga Arkivi Shtetëror i Kosovës
Pamje nga minierat e Trepçës (foto e viteve ’30 të shekullit XX)
Mitrovicasit dikur jetonin në bollëk, sot e shohin në ëndërr atë jetë: “Trepça”, Guliveri i Kosovës (Foto)
Lexo po ashtu Mitrovicasit dikur jetonin në bollëk, sot e shohin në ëndërr atë jetë: “Trepça”, Guliveri i Kosovës (Foto)

Përgatiti: Ismail Ismaili[1]

***

Rrethina e minierës Trepça dhe mbeturinat e vendbanimeve të lashta, kisha, na flasin për lulëzimin e dikurshëm të minerareve në viset tona. Shënimet e para për Trepçën datojnë që nga viti 1303 dhe përmendet në analet e vjetra të Dubrovnikut, në mesin e të cilave thuhet se “në tokën e Kosovës ka aq shumë pasuri minerare sa që ku të gërmosh me shat do të hasësh në ari dhe argjend”. Këtu në veçanti përmenden sundimtarët e vjetër serbë të cilët kishin lidhje tregtare me republikën e Dubrovnikut dhe të Venedikut. Vendbanimet e Trepçës përmenden si vendbanime të mëdha. Nga pronarët e të gjitha këtyre minierave, shumica prej tyre kanë qenë sundimtarë dubrovnikas dhe venedikas. Gjurmët e vendbanimeve më të mëdha shihen edhe sot në afërsi të fshatit Mazhiq, të cilat i përmend edhe kënga popullore. Këtu janë gjurmët e një kishe të madhe e cila ishte konvertuar në xhami, por sipas formës ë kambanës se kisha dikur kishte qenë katolike. Gjurmë tjera të vendbanimit të vjetër ishin në Stantërgun e sotshëm, në themelet ku gjenden banesat e punëtorëve dhe hoteli.


Gjatë gërmimit të themeleve është hasur në mure të vjetra. Vendbanimi i tretë i madh ishte tek fshati Gumnishtë. Këtu janë ruajtur mirë format e ndërtesave, në mesin e të cilave ishte edhe një ndërtesë e madhe me gjatësi prej 50 deri në 60 metra dhe e gjerë rreth 20 metra. Ndërtesat tjera kanë qenë më të vogla, rreth 8 deri 10 metra katrorë dhe sigurisht kanë paraqitur shtëpitë e banorëve. Në Stantërg është ruajtur më së miri kisha e vjetër, në të cilën ende shihen freskat dhe absidat. Ekzistojnë tri lloje freskash. Gjatë gërmimeve në rrethinën e kishës, kur u ndërtuan themelet e një shtëpie, punëtorët kanë hasur në varre të vjetra, me mbetje të kockave të njerëzve dhe kjo tregon se përreth kishës kishte varre. Në afërsi të kishës është gjetur një monedhë e vjetër bakri e vjetër që mendohet se i takon vitit 1300. Në njërën pjesë të saj shihen duart të cilat njëra tjetrës i jepnin diç dhe në anën tjetër koka e një sundimtari me kurorë në kokë. Shënimet mbi të janë të pa deshifruara, gjithashtu edhe vitet. Kishën e kishte ndërtuar mbreti Milutin për nderë të gruas së tij Jelenës, me origjinë nga Anzhujt, e cila ishte katolike dhe vetë kisha sipas stilit duket se i përkiste fesë katolike.

Më interesante për vetë minatorët ishin mbetjet e kapanxhave të vjetra dhe akseve, që ka shumë në tërë rrethinën. Sipas këtyre mund të përfundojmë se në këto anë xehetaria ishte në lulëzim e sipër. Shumë nga këto kapanxha mbërrinin në thellësi të mëdha, por kishte edhe tjera që ishin të thella vetëm disa metra. Duke pasur para sysh të gjitha këto, hetohet se minatorët kishin vetëm një pjesë të vogël të hapësirës dhe përpiqeshin të plotësonin këto mungesa në vendet tjera. Akset e ndryshme ishin ndërtuar nga një apo diku-diku edhe dy në rrëzë malit, zakonisht në pikën më të ultë dhe ato shërbenin për furnizim me ujë dhe ventilim.

Në punët kërkimore në rrethinë të Stantërgut, janë kryer gërmime të ndryshme të kapanxhave të vjetra dhe akse nëpër të cilat minatorët lëviznin barkas dhe në gjunjë. Janë gjetur shumë vegla të vjetra, çekanë, maje operative dhe pajisje të vjetra. Nxjerrja dhe bartja e xehes bëhej me thasë prej lëkurës së dhisë, në saja të vogla. Saje të tilla dhe çekanë janë gjetur në një aks në fshatin Bare. Në një tjetër përmbytje është gjetur i tërë çekani dhe së bashku me të një kapanxhë që mbyllte nxirrej materiali.

Shumë e shumë raste të tillë flasin për mënyrën e nxjerrjes së xehes në atë kohë. Është interesant sepse minatorët e vjetër e njihnin edhe gjeologjinë pasi që ndiqnin kontaktet aty ku zakonisht fillonte xehja. Ata ndiqnin edhe telin e hollë të galanit prej një centimetri, sepse atyre kryesisht u interesonte argjendi. Kështu në Gumnishtë shihen tri paraqitje të kapanxhave të cilat ishin pesë deri në 600 metra. Rrëzë përroit ka sasi të mëdha të zhavorrit ku minatorët e vjetër kanë mihur dhe kanë ndarë argjendin. Është për t’u habitur se si ia kanë dalë të grumbullojnë sasi aq të mëdha të zhavorrit nga këto loze për të cilët ne nuk jemi në gjendje të caktojmë asnjë vlerë. Është interesante se zhavorri gjendet gjithandej ku ka gjurmë të kapanxhave. Në tunelin e parë kemi gjetur një stufë të vjetër, primitive, gjatë ndërtimit dhe mihjes së bazës së ndërtesës. Më tutje kemi gjetur disa enë të vjetra të zeza, në të cilat sigurisht minatorët kanë rafinuar argjendin.

Punimet më të mëdha të vjetra ishin në Trepçën e vjetër në fshatin Mazhiq. Këtu është labirinti i tërë i korridoreve dhe kapanxhave dhe kur futesh brenda të sillet mendja vërdallë, sepse duket sikur gjendesh në një botë nëntokësore apo në ferrin e përshkruar nga Dante Aligeri. Këtu hasim në kthina shumë të thella, në serpentina të mihura në mur, në kalime me kalldrëm, në kapanxha prej ku shihet se litari e ka gërryer murin, në pjesë të errëta që ngjanin me varre etj. Në çdo hap shihen gjurmët e goditjeve me çekanë dhe daltë.

Këtu janë bërë hetime për tri vjet rresht. Këto punime të vjetra arrijnë thellësinë deri në 150 metra nën sipërfaqe. Ne kemi shkuar nën punishtet e vjetra edhe për 60 metra duke menduar se nuk do të gjejmë në këto thellësi, nën nivelin e përroit asgjë, por edhe në këtë thellësi gjetëm vende ku është mihur për argjend. Në thellësi edhe më të mëdha se 60 metra që do të thotë 270 metra nën sipërfaqe, nuk gjetëm punishte tjera të vjetra.

Në Stantërg, ku është masa më e madhe e xehes, të vjetrit kanë mihur deri në shtratin e përroit, ku gjendet sot punëtoria. Këtu kishte qenë një aks prej nga ka dalë xehja. Masa kryesore e xehes gati nuk është prekur fare, vetëm janë mihur dhe atë në nëntokë, disa pjesë ku ka pasur galenë të pastër. Zinku dhe piriti janë lënë anash. Të vjetrit u kanë ikur dhe nuk i kanë eksploatuar të gjitha mineraret. Si duket përzierja e piritit, sulfatit të zinkut dhe galenës, në këtë kohë ka paraqitur problemet më të mëdha. Nga kjo mund të përfundojmë se kjo minierë edhe në sipërfaqe ka mbetur e paprekur. Konstatim tjetër mund të jetë se punët kanë filluar në kohët e fundit para thyerjes së mbretërisë serbe. Mbretërit dhe perandorët serbë në atë kohë i kanë ftuar sasët si instruktorë më të mirë të minierave në mënyrë që në këto anë të përhapet xehetaria dhe banorët e atyshëm të merren me këtë mjeshtri e cila në atë kohë ishte shumë e përhapur. Kemi mjaft lumenj, vendbanime të cilat flasin për sasët e vjetër. Një mbetje e sasëve të vjetër është Janjeva dhe janjevasit, të cilët janë në zemër të Kosovës që pas shumë shekujsh e kanë ruajtur fenë e tyre katolike. Pushtimi osmanli pas Luftës së Kosovës filloi ta shuajë mjeshtërinë e xehetarisë. Turqit përdorën një administrim më të ashpër i cili ndaloi nxjerrjen e argjendit dhe plumbit. Së bashkë me këtë pushoi edhe tregtia me Dubrovnikun dhe Republikën e Venedikut dhe në analet dubrovnikase që nga viti 1421 përmendet se në Trepçë ishin vendosu kaditë. Ky sistem e shoi tërësisht xehetarinë në këto anë, por edhe në Trepçë e cila në shekullin e XVII shuhet tërësisht. Vetëm në shekullin e XIX nga ana e austriakëve bëhen përpjekje që xehetaria sërish të funksionojë. Por, në mosmarrëveshje me Portën kjo përpjekje mbeti pa rezultat.

Pas luftës së Parë Botërore hulumtimet e para i pati fituar Rade Pashiqi, i cili në vitin 1925 u lidh me kapitalistët anglezë, Selection Trust, me opsion të përfshirjes së terrenit, por pas hulumtimeve ata e blenë tërë koncesionin e Trepçës, në vitin 1927, kur edhe u formua Trepça Mines Limited.

Pas katër vjet hulumtimesh dhe përgatitjeve filloi të nxirrej xehja, më 15 gusht 1930. Më 14 gusht futet në Zveçan shporta e parë me xehe nga punët kërkimore nga Stantërgu. Trepça pas 4 shekujsh pushim, filloi të prodhojë më 17 gusht kur flotacioni u vu në punë. Nga viti në vit miniera Trepça u dha patronëve të saj të rinj, sasi të mëdha xehesh.

***

Në terrenin mesjetar të Trepçës, 240 pas ndërprerjes së të gjitha aktiviteteve minerare, në vitin 1926 prapë hapen librat e historisë së Trepçës dhe pasojnë me faqet e reja bashkëkohore. Në këto vite mbërrijnë në këto vise të braktisura malore buzë Kopaonikut, gjeologë dhe specialistë minierash, në bazë të raporteve të të cilëve më 1927, në gjirin e Selection Trust Ltd themelohet shoqata “Trepça Mines Limited”, me seli në Londër. Anglezët e kuptuan shume shpejt se kapitali i investuar do të sjellë fitime të majme. U dërguan në Trepçë ekspertët e njohur, në mesin e të cilëve inxhinierët Titcomb dhe Howie, të cilët më herët kishin punuar në Indi.

Gërmimet dhe hetimet tjera që u kryen vitet e ardhshme, dhanë rezultate të dobishme dhe të papritura. U zbulua pasuri e madhe minerare jo shumë thellë sipërfaqes. Dimensionet dhe përmbajtja e metaleve si dhe kushtet e volitshme të mihjes kanë mundësuar zhvillimin e shpejtë të minierës, e cila së shpejti u shndërrua në gjetje shumë të rëndësishme dhe njëra ndër më të njohurat në botë.

Me prodhimtari u fillua në katër korridore të horizontit 760, ditën e 15 gushtit të vitit 1930. Menjëherë janë lëshuar në prodhim edhe horizontet e 795, 830 dhe 965 metrave, të cilat u hapën për mihje në sipërfaqe. Në të njëjtën kohë kanë qenë të përfunduara punët në teleferik me shina nga Stantërgu deri në Zveçan (16,4 kilometra), kurse në Zveçan është ndërtuar centrali elektrik dhe flotacioni për përpunimin e koncentrateve të plumbit dhe zinkut nga xehja. Flotacioni u lëshua në punë më 20 gusht të vitit 1930. Koncentratet janë transportuar përmes Selanikut në furrat e huaja.

Punishtet u hapën dhe u përgatitën me një tempo shumë të shpejtë. Që më 1931 është shpuar korridori nëntokësor në kuotën 610 metra, në gjatësi prej 2.677 metrash. Kjo ishte lidhja më e thellë e minierës me sipërfaqen. I tërë korridori është punuar vetëm për dy vjet dhe në të u arritën rezultate të cilët rrallë mund të krahasohen në tërë botën. Kështu, vetëm në nëntor të vitit 1930 janë punuar 267 metra, korridor të profilit rreth shtatë metra.

Me korridoret e thella dhe me pusetat vertikale 160 metra, që më 1932 janë lëshuar në prodhim të gjitha horizontet në thellësi deri në 610 metra. Kësi soji për një kohë shumë të shkurtër qenë hapur rreth 285 metra të korridoreve vertikale në pjesët e punishteve. Punët hulumtuese nën horizontin themelor 610 metra kanë dhënë rezultate shumë të mira, kështu që menjëherë është filluar më mihjet në minierë edhe nën këtë horizont dhe atë në mihjet në pjerrtësi prej 400 skilcesh në çatinë e vendburimeve minerale. Tek këto punë megjithatë u paraqit problemi i rrjedhës së ujit, sepse për horizontet e sipërme ujitja bëhej në mënyrë shumë të lehtë përmes korridorit drejtpërdrejtë me sipërfaqen. Horizontet e reja të thella kërkonin pompa të mëdha të njësive të ngrohjes dhe të gjitha i takonin rregullimit të drenazhit dhe sigurimit të rrjedhës së papritur të ujit. Kapacitetet e pompave të ngrohjes dhe ftohjes, për secilin horizont duhet të përmbajë 22 metra kub për minutë. Edhe me gjithë punimet më të gjera që u bën për rrjetin e ujitjes në horizontet e thella si dhe pesha e bartjes së minerareve të papërpunuara, në vitet në vazhdim u lëshuan në prodhim edhe tri horizonte:

Vitet horizontet  
1935 545m Ose horizontet e dyta të thella
1937 485m Ose horizontet e treta të thella
1938 435m Ose horizontet e katërta të thella

Më 1938 është hapur vendburimi i mineraleve në lartësinë e mihjes nga 460 metra. Në të njëjtën kohë miniera shënoi prodhimtarinë më të lartë, e cila në kalendarin e vitit 1938, mbërrinte në 681 381 tonë xehe e papërpunuar. Dimensionet e vendburimeve të mineraleve nuk janë zvogëluar aspak, por në këto thellësi janë arritur maksimumi i rezultateve. Rezervat minerare nga viti 1931 deri më 1938 janë rritur nga 2.1 milionë tonë xehe në 4.1 milionë tonë.

Të kuptueshme janë kënaqësitë dhe emocionet e aksionarëve të shoqërisë kapitaliste Trepça Maines Limited, të cilat mund të lexoheshin në raportet e paraqitur për çdo vit pranë asambleve të shoqatës në Londër. Janë ndarë rregullisht dividendët dhe silleshin për një vit prej 10-30% të roleve. Shoqëria u zgjerua dhe u pasurua jo vetëm në minierën e Stantërgut. Kapacitetet e flotacionit u rritën dukshëm. Në vitin 1938 shoqëria përfshinte edhe koncesionet të cilat ishin deri atëherë si shoqëri të pavarura gjithnjë në shfrytëzim të kapitalit anglez: Kopaoniku, Novobërda dhe Zletova. Në vitin 1939 në Zveçan u ngrit furra e plumbit e cila në masë të konsiderueshme e ka rritur fitimin e shoqërisë.

Por, kur suksesi i kapitalit të huaj ishte në shtrirje të plotë, minatorët e Trepçës e bartnin mbi supe tërë peshën e eksploatimit. Ata u bashkuan dhe kërkonin përmirësim të jetës dhe punës së tyre, filluan të ngrenë kokën për të drejtat e tyre, organizuan greva. Në grevën e parë të vitit 1936 dhe të tjerat edhe më të mëdha të 19 korrik deri më 3 shtator 1939 ia dolën që të fitojnë disa të drejta të tyre fillestare siç ishte pushimi i paguar, por tërë këto në saje të një mundi shumë të madh. Pagat në minierë u rritën pak, por kishte ende punëtorë të cilët punonin në kushte shumë të vështira të zgafelleve për vetëm 35 dinarë në ditë.

Zhvillimi i minierës gjatë kohës së luftës ishte ndërprerë tërësisht. Që nga viti 1939 kur u hapen katër horizonte të thella dhe deri pas çlirimit nuk u hap asnjë horizont.

***

Emri i Trepçës është i lidhur me festa të mëdha të minatorëve në Mesjetë. Trepça përmendet për herë të parë në vitin 1303, por kah fundi i këtij shekulli Trepça hodhi nën hije Berskovën e famshme dhe Novobërdën. Prishtina dhe miniera ishin një qendër e fortë e tregtisë në atë kohë. Trepçën e vizitonin mbretërit dhe despotët e njohur serbë. Ajo është kryeqytet i rrethit të minierave të Kopaonikut, seli e mbretërve, guvernatorëve, por këtu kishte një numër shumë të madh kolonësh të Dubrovnikut, me në krye konsullin e Republikës së Dubrovnikut. Në minierat e Trepçës si dhe në vendburimet minerare të njohura të Trepçës, si dhe në vendburimet minerare të njohura të asaj kohe, punonin minatorët sasë. Përmes Trepçës kalon arteria kryesore e Ballkanit nëpër të cilën kalojnë shumë karvanë tregtarësh. Funksiononte komunikimi i organizuar postar me bregdetin dhe me qendrat e tjera tregtare në brendësi të shtetit.

Të gjitha këto përfunduan me pushtimin osman. Trepça bie nën osmanët në vitin 1455, atëherë kur edhe Novobërda. Në këtë kohë minierat braktiseshin, tregtia shkatërrohej, qytetet dhe vendbanimet zhdukeshin dhe shndërroheshin në gërmadha. Për atë çfarë ishte dikur Trepça, dëshmon arkivi i pasur i Dubrovnikut dhe po ashtu dëshmojnë haldat madhështore në vendburimet minerare të vjetra, numri shumë i madh i pusetave dhe horizontet. Dëshmi tjera janë gërmadhat e vendbanimeve, kishave, shumë emra me prejardhje nga mineraret, kodrat dhe uji dhe tradita e madhe e kësaj popullate që jeton aty dhe që është ruajtur nga të gjitha migrimet e mundshme.

Dihet mirëfilli se Selection Trust dhe Limited në Londër e themeluan më 1927 shoqërinë Trepça Mains Limited, e cila filloi me punë me një kapital prej 107 500 sterlina. Punët ne hulumtimet e gjëra kërkojnë mjete të shumta. Kapitali shtetëror shpejt kaloi nëpër fazën nga 200 mijë sterlina dhe më 1929 Këshilli Drejtues në Londër vendosi të hidhet në treg monetar me kapital të rritur në një milion sterlina. Regjistrimi publik i kapitalit, i cili është vënë në provë për ta vërtetuar tregun monetar të Londrës në ekonominë, doli i suksesshëm. Në vjeshtë të të njëjtit vjet (1929) u fillua me punime të mëdha për rregullimin e minierës, me ndërtimin e vendbanimeve për minatorë dhe udhëheqës, shpimet kryesore në minierë. Në korrik të vitit 1930 u vendos për rritje të re të kapitalit nga një në 1.125 milion sterlina, për t’u siguruar mjete të nevojshme për hulumtime në Melenicë, Trepçën e Vjetër dhe në terrenin e Bërskovës dhe për përfundimin e horizonteve të thella. /Telegrafi/

[1] Arkivi Shtetëror i Kosovës, Fondi : “Trepça”, kutia nr. 1

Në trend Kultura

Më shumë
LAMTUMIRË VËNDET E MIJA

LAMTUMIRË VËNDET E MIJA

Poezi
PAS VDEKJES SIME

PAS VDEKJES SIME

Poezi
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
“Dhoma e gjumit” e van Goghut

“Dhoma e gjumit” e van Goghut

Piktura
Çfarë është kultura?

Çfarë është kultura?

Kulture
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Kalo në kategori