Poezi nga: Ivan Malinowski
Përktheu: Maksim Rakipaj

Tani është çasti të bësh ç’të pëlqen.
Mos prit të hënën, të nesërmen mos prit.
Mos lerë të rritet pafund ai rresht
Ëndrrash të shkelura me këmbë. Mos prit.

Nga frika mos u ndal, a ligësitë.
Mos e shkëmbe jetën me tjetër mortje
Ç’të sjellë fati, kurrë, asgjë mos prit
Veç nga këmbëngulja dhe djersa jote.

Në ke një ëndërr tënden, më tej gërmoje
Si përroi brigjet grryen ngadalë;
Si era që jeton sepse shndërrohet.

Dhe si dëshiron ti gjithçka të dalë,
Gjithnjë vendos vetë dhe menjëherë
Dhe vjeshtën tënde ktheje në pranverë.