Chelsea ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit të majtë adoleshent Yisa Alao, duke fituar garën ndaj Liverpoolit dhe Manchester United për nënshkrimin e 17-vjeçarit shumë të vlerësuar.

“Blutë” kanë njoftuar se Alao ka firmosur një kontratë dyvjeçare e gjysmë, pasi arritën ta bindin Sheffield Wednesday me një ofertë që klubet rivale nuk e barazuan dot.


Fillimisht, Liverpooli dhe Manchester United konsideroheshin favoritë për talentin e ri, por Chelsea ndërhyri fuqishëm në negociata dhe siguroi shërbimet e tij.

Klubi londinez, nën drejtimin e Liam Rosenior, publikoi një deklaratë të shkurtër për ardhjen e Alao, duke përmendur vetëm faktet bazë rreth shpërthimit të tij këtë sezon me Sheffield Wednesday. Ndërkohë, klubi nga Hillsborough dha një lamtumirë shumë më emocionale për lojtarin që kishte qenë pjesë e tyre për më shumë se një dekadë.

“Chelsea i ka paraqitur atij një mundësi të shkëlqyer dhe, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, Yisa ka zgjedhur të bëjë hapin e radhës në karrierën e tij”.

“Udhëtimi i Yisa-s është një moment krenarie për të gjithë të përfshirët në Akademinë e SWFC-së, nga trajnerët dhe stafi te familjet që mbështesin çdo ditë lojtarët e rinj. Përparimi i tij tregon fuqinë e rrugës zhvillimore te Sheffield Wednesday dhe aftësinë e saj për t’i ndihmuar talentet të arrijnë nivelet më të larta të lojës”.

“Do të donim ta falënderonim Yisa-n për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kohës së tij në Hillsborough dhe t’i urojmë çdo sukses në kapitullin e ardhshëm të karrierës”.

Alao është ende në fazat e para të rrugëtimit të tij profesional, me vetëm pesë paraqitje në nivel senior. Megjithatë, talenti i tij ka qenë i mjaftueshëm që Chelsea të veprojë shpejt, sidomos në një moment kur rrethanat financiare të Sheffield Wednesday e bënë transferimin të mundshëm.

Klubi anglez ndodhet në një krizë të thellë financiare. Futja në administrim në muajin tetor i dha fund pronësisë së debatueshme të Dejphon Chansiri-t dhe e hapi klubin ndaj ofertave të ndryshme. Sheffield Wednesday është ngulur në fund të Championshipit me minus shtatë pikë, pasi gjatë sezonit iu zbritën gjithsej 18 pikë./Telegrafi

telegrafi sport app