Në një tjetër hap drejt shtypjes së grave dhe vajzave, regjimi taleban në Afganistan ka lëshuar një urdhër të ri që ndalon përdorimin e librave të shkruar nga gra në të gjitha universitetet e vendit.

Vendimi është bërë i ditur përmes një liste prej 50 faqesh, e cila është shpërndarë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, dhe përmban 679 tituj librash të ndaluar.


Ndalimi nuk kufizohet vetëm te librat. Talebanët kanë ndërhyrë edhe në kurrikulën universitare, duke shkurtuar plotësisht 18 lëndë që lidhen me gratë dhe rolin e tyre në shoqëri.

Lëndë të tilla si “Gjinia dhe Zhvillimi” dhe “Roli i Grave në Komunikim” janë ndër ato që janë hequr plotësisht nga programet mësimore. Këto lëndë konsideroheshin ndër të paktat hapësira akademike ku studentët dhe studentet mund të diskutonin mbi barazinë gjinore dhe të drejtat e grave.

Ky është vetëm një nga shumë masat kufizuese që regjimi taleban ka vendosur kundër grave që nga rikthimi në pushtet në vitin 2021.

BBC kujton se më parë, grave u ishte ndaluar të vazhdonin shkollimin pas klasës së gjashtë, duke i lënë miliona vajza jashtë sistemit arsimor.

Për një kohë të shkurtër, disa kurse profesionale si ato të mamisë kishin mbetur të hapura si një mundësi minimale për trajnim, por edhe këto u mbyllën në heshtje në fund të vitit 2024, duke i mbyllur pothuajse të gjitha rrugët e edukimit për gratë afgane.

Librat që janë ndaluar përfshijnë vepra të autoreve afgane dhe të huaja, shumë prej të cilave trajtojnë tema si barazia gjinore, fuqizimi i grave, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi social. Ndalimi i tyre shihet nga ekspertët si përpjekje për të zhdukur çdo ndikim që mund të sfidojë ideologjinë patriarkale të regjimit.

Reagimi ndërkombëtar ka qenë i ashpër. Organizata të të drejtave të njeriut, arsimtarë dhe aktivistë nga e gjithë bota kanë dënuar këtë veprim si një tjetër formë e aparteidit gjinor, dhe kanë kërkuar presion më të madh diplomatik mbi regjimin taleban.

Për gratë dhe vajzat në Afganistan, ky vendim përfaqëson jo vetëm një ndalim të dijes, por edhe një zhveshje të plotë nga e drejta për të menduar, mësuar dhe ëndërruar për një të ardhme ndryshe. /Telegrafi/