Takimi Trump-Putin, Bislimi paralajmëron: Kosova duhet të forcojë lidhjet institucionale me SHBA-të

Ish-deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, i cili aktualisht jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka komentuar takimin e shumëpritur mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaska.
Në një postim në Facebook, Bislimi thekson se samiti nuk është thjesht një takim mes dy liderësh, por një sinjal për riformësimin e rendit ndërkombëtar. Ai shton se Rusia synon një botë multipolare, ku SHBA nuk ka fjalën e fundit, ndërsa Trump tregon një qasje më personale dhe transaksionale ndaj aleatëve.
Bislimi paralajmëron se një qasje izoluese e SHBA-së mund të lërë vendet e vogla, si Kosova, të ekspozuara ndaj ndikimeve ruso-serbe. Ai thekson rëndësinë e forcimit të lidhjeve institucionale me Amerikën, jo vetëm atyre emocionale, përmes angazhimeve konkrete dhe reformave të brendshme.
“Takimet si ai i sotëm mes Trump dhe Putin na kujtojnë një gjë – se kombet e vogla nuk kanë luksin e mosveprimit. E ardhmja jonë nuk do të vijë duke pritur, por duke vepruar mençur, sot!”, shkruan Bislimi.

















































