Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping javën e ardhshme gjatë vizitës së tij në Azi, konfirmoi Shtëpia e Bardhë të enjten.

Sekretarja e Shtypit Karoline Leavitt tha se Trump do të niset për në Malajzi të premten vonë në mbrëmje përpara se të shkojë në Korenë e Jugut, ku takimi me Xi do të zhvillohet të enjten e ardhshme (30 tetor), përcjell Telegrafi.


Bisedimet - të parat midis dy udhëheqësve në mandatin e dytë të Trump - pritet të përqendrohen në tregti, lidhjet e Kinës me Rusinë dhe përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Trump tha të mërkurën (23 tetor) se priste të arrinte marrëveshje të shumta me Xi, duke mbuluar çështje që variojnë nga blerjet e sojës dhe tensionet tregtare deri te kontrolli i armëve bërthamore dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.

Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, Trump shprehu optimizëm për takimin e ardhshëm.

"Mendoj se do të bëjmë një marrëveshje", tha ai, duke sugjeruar se Xi kishte ndryshuar qëndrimin e tij për konfliktin në Ukrainë.

“Ai tani do të donte — nuk jam i sigurt nëse e bëri në fillim — tani do të donte që ajo luftë të mbaronte”, shtoi Trump.

Presidenti amerikan gjithashtu ka lënë të kuptohet për bashkëpunim të mundshëm në kontrollin e armëve bërthamore, duke iu referuar diskutimeve të fundit me presidentin rus Vladimir Putin. /Telegrafi/