Clinton tha të martën se i dërguari i posaçëm i Washingtonit për Afganistanin, Richard Holbrooke, pati “një takim të shkurtër dhe të përzemërt me kryetarin e delegacionit iranian”, zv/ministrin e Jashtëm, Mohamad Mehdi Akundzadeh.

Sekretarja Clinton tha se ata nuk diskutuan “asgjë substanciale”, por ranë dakord të qëndrojnë në kontakt.

Kontaktet e nivelit të lartë mes dy vendeve kanë qenë tepër të rralla. Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë patur marrëdhënie diplomatike për rreth 30 vjet.

Holbrooke është i dërguari amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin. Ai foli me diplomatin iranian gjatë pushimeve të konferencës së sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara për sigurinë dhe rindërtimin në Afganistan.

Të dy vendet kanë thënë se ndeshin në kërcënime të ngjashme në Afganistan, përfshirë dhunën ekstremiste dhe tregtinë e narkotikëve. /VoA/