Ish-kryenegociatorja për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje, për siç thotë ajo shkeljen flagrante të Kushtetutës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Tahiri deklaroi se Kosova është futur në librin e Ginisit si shembull i shkeljes së kushtetutës nga vetë pushteti, duke e konsideruar këtë si një akt të rëndë që do të mbetet në histori.


“Kosovën e dështuan – vet hynë në librin e Ginisit si shkelës të Kushtetutës. Kurti e VV, një ditë do të ndjehen të turpëruar për këtë gabim historik,” ka shkruar ajo.

Deklarata e Tahirit vjen në një kohë kur vendi po përballet me krizë institucionale, pasi seanca konstituive e Kuvendit është ndërprerë pa zgjedhjen e plotë të Kryesisë, gjë që opozita e ka cilësuar si antikushtetuese. /Telegrafi/