LAJMI I FUNDIT:

Tahiri: Buxheti i komunave u rrit për 40 milionë euro më shumë

Tahiri: Buxheti i komunave u rrit për 40 milionë euro më shumë

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Besnik Tahiri, ka thënë se buxheti i komunave për vitin 2019 është 531 milionë euro apo 40 milionë më i lartë se i vitit paraprak.

Tahiri me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook ka thënë se projektbuxheti i vitit 2019 për nivelin komunal parasheh më shumë qëndrueshmëri buxhetore.

Sipas tij, pavarësisht rritjes buxhetore ende mbetet i pamjaftueshëm financimi nëpërmjet granteve specifike.


Postimi i plotë i Tahirit:

Buxheti i komunave i vitit 2019, 531 milionë euro, apo 40 milionë më i lartë se i vitit 2018

Projektbuxheti për 2019-ën, dhe projeksionet për periudhën 2020-2021, janë tregues i qartë se në Kosovë kemi një mendësi ndryshe qeverisëse.

Buxheti Komunal, i vitit 2019 arrin vlerën 531 milionë euro, apo 40 milionë më i lartë krahasuar me atë të vitit 2018 që ishte 491 milionë euro. Shprehur në përqindje, i bie 8%. Buxheti tashmë mbi gjysmë miliardi euro për komunat, merr parasysh projeksionet në rritje në të gjitha kategoritë buxhetore, duke përfshirë rritje të ndjeshme në grantet specifike (arsim dhe shëndetësi). Komunat, krahasuar me vitin 2018 në 2019 kanë financim shtesë në arsim 14.7 milionë euro, ndërsa në total 185 milionë euro; ndërkaq në shëndetësi 4.9 milionë euro. Shprehur në total 53.4 milionë euro.

Ky buxhet i shprehur në shifra merr parasysh shpërndarjen e rritjes të shpenzimeve në këto kategori:
a) kategoria e pagave dhe mëditjeve rritje për 6.7 milionë euro (zgjerimi i punësimit, mbulimi i punësimeve të nën-buxhetuara, si dhe rritja e pagave)
b) rritja e shpenzimeve për mallra dhe shërbime në vlerë 13.6 milionë euro dhe
c) rritja e shpenzimeve kapitale në vlerë 18.8 milionë euro apo në total investime 164.9 milionë euro.

Në këtë buxhet, për herë të parë janë buxhetuar edhe dy Ligje; ai për Kryeqytetin – Prishtinën në vlerë afro 11 milionë euro (10,841,400), dhe ai për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit në vlerë afër 5 milionë (4,972,124). Deri në fund të mandatit bazuar strukturën e shpenzimeve për buxhetin komunal të vitit 2019 dhe parashikimeve për vitet 2020-2021, kryeqyteti përfiton grant shtesë afro 35 milionë euro (34,528,200), mjete këto që nuk prekin financimin e grantit të përgjithshëm për komunat në vlerë 10% të buxhetit total të Republikës së Kosovës.

Pra, projektbuxheti i vitit 2019 për nivelin komunal, parasheh më shumë qëndrueshmëri buxhetore, më shumë mundësi në mirëmbajtje të investimeve dhe më tepër funksionalitet në shërbime, qofshin ato administrative apo sektoriale (arsim dhe shëndetësi). Pavarësisht rritjes, ende mbetet i pamjaftueshëm financimi nëpërmjet granteve specifike (arsim dhe shëndetësi). Bazuar në projeksionet 2020-2021, kjo përvitshëm projekton rritje deri në financim të qëndrueshëm në këto fusha. E njëkohësisht do t’i mbështesim komunat në rritjen e kapaciteve dhe gamës për mbledhjen e të hyrave vetanake.

Në këtë kuadër, mbështetja e shtuar nga qeveria qendrore, specifikisht ministritë e linjës, e fuqizon edhe më tej nivelin lokal në fushën e financimit, duke pasur parasysh se në këtë kuadër Kosova në vlerësime qëndron më së larti në rajon. Këto ditë, qeveria qendrore do të procedoi me aprovim të koncept-dokumentit për financat e pushtetit lokal, duke avancuar edhe më tej politikat që promovojnë financimin dhe menxhimin efikas të komunave. Kjo dhe mbështetja përmes vendimeve dhe lagjislacionit sektorial për nivelin lokal hapë një perspektivë të re zhvillimore. /Telegrafi/