Anëtari i kryesisë së PDK, deputeti Abelard Tahiri, ka thënë se është tepër shqetësues fakti se Beogradi zyrtar e ka futur në karantinë veriun e Mitrovicë dhe Zveçanin, ndërsa kryeministri në detyrë Albin Kurti po heshtë.

Tahiri përmes një shkrimi në Facebook, ka theksuar se Kurti duhet të marrë masa urgjente, t’i dërgojë në veri përfaqësuesit e institucioneve kosovare.

“Lajmi që dy Komunat e Kosovës, Mitrovica Veriore dhe Zveçani, janë futur në karantinë, si dhe rreth 200 qytetarë në pesë Komuna janë detyruar të izolohen, me urdhër nga Beogradi, për shkak të pandemisë, është shqetësim tepër serioz për shtetin tonë.

Kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, duket qartazi se nuk e ka problem dhunimin e sovranitetit që po i bëhet Kosovës nga Serbia, por është i preokupuar dhe i obsesionuar me veten e tij dhe partinë e tij.

Por, ai duhet ta kthejë vëmendjen kah problemet reale që ka para vetes, dhe të marrë masa urgjente, t’i dërgojë në veri përfaqësuesit e institucioneve tona, qoftë të sigurisë, qoftë shëndetësore, për çkado që qytetarët e asaj pjesë kanë nevojë. Prezenca e institucioneve të Kosovës është e domosdoshme atje.

Sikur Albin Kurti vetëm gjysmën e energjisë që shpenzonte për akuzat ndaj të tjerëve në relacion me Serbinë, sa ishte në opozitë, ta vinte tash në funksion, situata në terren do të ishte ndryshe. Por, kjo është hipokrizia e tij e radhës”, ka shkruar ai. /Telegrafi/