Tri ditë pasi u rikthye nga shkarkimi si drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj është suspenduar sërish nga kjo pozitë.

Në një përgjigje për Telegrafin, Ministria e Financave tregon se Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë ka marrë vendim që Murtezaj të pezullohet nga detyra e drejtorit të përgjithshëm.


“Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, me Vendimin 0007/2021, të datës 11/01/2021, pas shqyrtimit të kërkesës së datës 31/12/2020 me Nr. Prot. 2367 për inicimin e procedurës disiplinore kundër zt. Ilir Murtezaj, drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, ka marrë vendim që zt. Ilir Murtezaj të pezullohet nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës deri në një vendim tjetër”, thuhet në përgjigjen e MF-së.

vendimi ilir murtezaj 001

vendimi ilir murtezaj 002

Më muajin tetor 2020, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti kishte shkarkuar Murtezajn nga kjo pozitë.

“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në rekomandimet e Ministres së Financave, kryeministri Avdullah Hoti, ka marrë vendim për t’i liruar nga detyra ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Ish-drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj i cili ishte shkarkuar, kishte theksuar se vendimi për shkarkimin e tij kishte ndikim nga politika, dhe kishe kryeministrin dhe Qeverinë për punësime familjare, favorizim të bizneseve edhe nepotizëm në këtë agjenci.

“Pikërisht ky kryeministër ka qenë në pozitën e ministrit të Financave kur është lejuar skajshmërisht të abuzohet me detyrën zyrtare. Të pranohen njerëz të fëmijëve me ndikim në politikë, me ndikim në gjyqësor, me ndikim në Prokurorinë e Shtetit. A është ndryshe kapja e shtetit? Absolut nuk është. Tash këto raste që i potencova që i kemi proceduar në organet e drejtësisë, fatkeqësisht nuk po ngritën aktakuzë ndaj tyre. Pse? Sepse e kanë marrë fëmijët e prokurorëve në punë, ato janë të njohura edhe për opinionin, i kanë marrë fëmijët e gjyqtarëve, i kanë marrë fëmijët e deputetëve ose renë e deputetit. Pse? Për të bërë krimin e organizuar, dhe për të mbyllur gojët e të gjithëve. Kryeministri i vendin e dinë familjarët e tij që i ka punësuar në Ministrinë e Financave, pastaj të dërguar në Auditorin e Përgjithshëm”, kishte thënë Murtezaj.

Pas këtij vendimi, ai ishte kthyer në punën më 8 janar 2021, mirëpo në ditën e dytë të punës pas rimarrjes së detyrës i njëjti u suspendua.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës i kishte dhënë të drejtë ish-drejtorit të ATK-së, në ankesën e këtij të fundit pas shkarkimit nga pozita që e mbante në Administratën Tatimore. /Telegrafi/