Surinami do të bëhet një nga vendet më të pasura në botë: A është gati?

Nga: Arick Wierson / Newswekk
Përkthimi: Telegrafi.com
Është e rrallë që dikush - aq më tepër një vend - të dijë, pothuajse me siguri të plotë, se do bëhet shumë i pasur. Por, shteti i vogël i Amerikës së Jugut, Surinami, është në prag të kësaj.
Për dekada me radhë, Surinami ka qenë shumë i vogël për të tërhequr vëmendjen globale dhe shumë i zhytur në borxhe për të pasur rritje ekonomike.
Por, e gjithë kjo është gati të ndryshojë.
Duke filluar nga viti 2028 - pasi prodhimi i naftës i udhëhequr nga kompania franceze TotalEnergies do të hyjë në funksion - pritet që Surinami të bëhet ekonomia me zhvillimin më të shpejtë në botë, me Prodhimin e Brendshëm Bruto që do të rritet me më shumë se 50 për qind,. Rreth 220 mijë fuçi në ditë pritet të nxirren nga ky projekt - kjo s’mjafton për ta bërë Surinamin superfuqi energjetike globale - por, me një popullsi prej vetëm 650 mijë banorësh, ndikimi i këtij përfitimi nga nafta do të jetë transformues.
I strukur mes Brazilit dhe Guajanës, Surinami është disi një enigmë në hartën e Hemisferës Perëndimore - madje edhe për fqinjët e saj të afërt në Karaibe. Si një ish-koloni holandeze, është një nga kombet etnikisht më të larmishëm në botë - një mozaik shumëngjyrësh i trashëgimive indiane, javaneze, afrikane, autoktone, kineze dhe evropiane, ku pyjet tropikale të Amazonës ofrojnë sfondin që ritmet e Karaibeve të përplasen ballë për ballë me një ndjenjë shumë evropiane për rendin.
Me miliarda të ardhura nga nafta që pritet të hyjnë në këtë vend të vogël ku flitet holandisht, kohezioni kombëtar i Surinamit së shpejti do të vihet në provë. Dhe, mënyra se si do ta menaxhojë këtë përfitim do të varet kryesisht nga presidentja e re, Jennifer Geerlings-Simons - gruaja e parë që mban këtë post. Ish-mjeke, ajo tani udhëheq një koalicion të brishtë prej gjashtë partish, në një moment kur rreziku dhe mundësia nuk kanë qenë kurrë më të mëdha.
Ajo dha një intervistë për Newsweek-un në kryeqytetin e Surinamit, Paramaribo - intervistën e saj të parë madhore ndërkombëtare për të diskutuar premtimin e kësaj epoke të ardhshme të naftës, një epokë të cilën e kupton mirë se nuk është pa rreziqe.
“Populli i Surinamit dhe kompanitë surinamase duhet të marrin pjesë në gjithçka që do të sjellë nafta”, tha presidentja Geerlings-Simons. “Përndryshe, disa njerëz do të pasurohen dhe populli im do të mbetet i varfër - dhe kjo nuk është ajo që duam”.
Shqetësimi i saj nuk është teorik.
Matanë kufirit, bumi i naftës në Guajanë po e rimodelon vendin - duke nxitur një rritje të madhe, ndërsa thellon ndarjet sociale që pasuria e papritur mund të zbulojë. Për pesë vjet me radhë ka qenë ekonomia me rritjen më të shpejtë në botë, duke u zgjeruar me më shumë se 40 për qind çdo vit teksa eksportet e naftës janë rritur. Surinami e ka parë nga afër zhvillimin e kësaj ngjarjeje - dhe ka marrë shënime për atë që e pret përpara.
Pika fillestare e Surinamit është ndryshe nga ajo e Guajanës.
Ndërsa Surinami është përballur me inflacion dhe borxhe, treguesit e zhvillimit të tij njerëzor kanë qenë prej kohësh disa hapa përpara atyre të Guajanës, dhe lidhjet institucionale me botën e industrializuar - veçanërisht përmes Holandës - janë shumë më të thella. Kjo do të thotë se edhe të ardhurat më të vogla nga nafta mund të shtrihen më larg dhe të ndihmojnë më shumë njerëz në mënyrë të qëndrueshme.
Sfidë do të jetë koha: një pjesë e madhe e borxhit të Surinamit duhet paguar para prodhimit të parë të naftës. Qeveria duhet të rifinancojë, pa trembur investitorët apo pa shkaktuar falimentim.
Para se të merrej me politikë, Geerlings-Simons punoi si mjeke familjare - përvojë që ende ndikon në mënyrën se si i vlerëson sfidat e vendit. E pyetur se si do ta diagnostikonte Surinamin, ajo bëri një pauzë dhe më pas dha një analogji që tregonte si realizëm ashtu edhe përmbajtje.
“Pacienti aktualisht nuk është mirë ekonomikisht, ka nevojë për ilaç”, tha ajo. “Ilaçi që i jepet një pacienti, për ta përmirësuar atë, duhet të merret në mënyrën që duhet”.
Përgjigjja e saj ofroi një perspektivë të kthjellët: përpara se të fillojnë të rrjedhin pasuritë nga nafta, faza e trajtimit - rindërtimi i institucioneve, rikthimi i disiplinës, menaxhimi i pritshmërive - mund të jetë pjesa më e vështirë.
Përtej ekonomisë, Surinami zotëron një aset të rrallë mjedisor. Rreth 93 për qind e territorit të saj mbetet e pyllëzuar - përqindja më e lartë në botë. Kjo i jep asaj një rol të madh në diplomacinë klimatike - dhe një burim të mundshëm të ardhurash nga kreditë e karbonit. Ajo që ndodh në këtë pjesë të Amazonës do të përhapet nga Brukseli në Pekin.
Duke huazuar një shembull nga fqinji i saj perëndimor, nga presidenti i Guajanës, Irfaan Ali, Geerlings-Simons argumenton se të ardhurat nga nafta duhet të përdoren për të mbështetur mbrojtjen e biodiversitetit dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike. Ajo nuk sheh kontradiktë mes nxjerrjes të naftës dhe ruajtjes së natyrës.
“Mendojmë se paratë nga nafta do të ... na ndihmojnë të mbrojmë pyjet [tona]”, tha ajo. “[Të ardhurat nga nafta] do të na japin gjithashtu kohë për të zhvilluar mënyrat për të fituar para nga pyjet tona. Kjo do të kërkojë kohë për t’u realizuar”.
Nëse Surinami përdor pasuritë nga nafta për të financuar një tranzicion - duke investuar në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë të gjelbër - ajo mund të ofrojë një model të rrallë: një shtet i pasur me naftë që e përdor fitimin nga karburantet fosile për një të ardhme post-karbon.
Menaxhimi i pritshmërive në një demokraci kaq të larmishme do të jetë sfidë e madhe.
Për shkak se është i vogël, edhe të ardhurat modeste nga nafta do të kenë ndikim të shpejtë.
Duke dalë nga pallati presidencial në Paramaribo, pas bisedës sonë, vazhdoja të mendoja për metaforën e saj. Surinami është pacient duke u shëruar - i brishtë, plot shpresë dhe me nevojën për disiplinë. Nëse do të bëhet një mrekulli apo një paralajmërim, kjo do të varet nga ajo se mirë e ndjek recetën e vet. /Telegrafi/


















































