Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit R.M., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale krime lufte kundër popullsisë civile.

Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, kërkesa ishte paraqitur kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, me të cilat të pandehurit i ishte vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj.


Gjykata Supreme vlerësoi se ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, duke marrë parasysh rrezikun e ikjes së të pandehurit dhe rrethanat konkrete të rastit.

“Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit R.M., kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit”, thuhet në njoftim.

Sipas gjykatës, rreziku i arratisjes vlerësohet i lartë për shkak të disa rrethanave, përfshirë ndryshimin e disa adresave të banimit nga ana e të pandehurit, vendbanimin e tij të përhershëm jashtë Kosovës dhe posedimin e dy shtetësive.

“Gjykata Supreme vlerëson se ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, përfshirë faktin se i pandehuri ka ndryshuar disa adresa të banimit, ka vendbanim të përhershëm jashtë Kosovës dhe posedon dy shtetësi”, thuhet më tej në arsyetim.

Po ashtu, Supremja ka konstatuar se pretendimet për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Kushtetutës së Kosovës nuk qëndrojnë, pasi masa e paraburgimit është caktuar nga gjykata kompetente dhe në përputhje me dispozitat ligjore.

“Gjykata Supreme, gjithashtu konstaton se nuk qëndrojnë pretendimet për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që paraburgimi është caktuar me vendim të gjykatës kompetente dhe në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa procedura penale është ende në fazën fillestare”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/