Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara katër ankesa të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që lidhen me procesin e shpërndarjes së mandateve në disa komuna të vendit.

Në rastin e parë, me numër lënde AA.nr.108/2025, Gjykata ka refuzuar ankesën e kandidatit për asamblist në Komunën e Prishtinës nga subjekti politik “Lidhja për Prishtinën”, Kreshnik Sopi, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.374/2025 të datës 5 nëntor 2025.


Sopi kishte kontestuar mënyrën e aplikimit të kuotës gjinore, duke pretenduar se ajo ishte zbatuar “në mënyrë mekanike” dhe kishte çuar në përjashtimin e një kandidati me më shumë vota.

Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se përllogaritja e mandateve nga KQZ dhe PZAP është bërë në përputhje me ligjin dhe me standardet demokratike. “Përfaqësimi gjinor nuk është vetëm kërkesë formale, por detyrim që zbatohet edhe gjatë shpërndarjes së mandateve, për të siguruar përfaqësim efektiv të të dy gjinive”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Në rastin e dytë, me numër lënde AA.nr.109/2025, Gjykata Supreme refuzoi ankesën e kandidatit të PDK-së për Asamblenë Komunale të Podujevës, Isuf Osmani, kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.377/2025. Edhe në këtë rast, kontestohej aplikimi i kuotës gjinore. Gjykata theksoi se ndarja e mandateve është bërë në përputhje me dispozitat ligjore që garantojnë përfaqësimin minimal prej 30% të gjinisë më pak të përfaqësuar.

Në rastin e tretë, me numër lënde AA.nr.110/2025, janë refuzuar si të pathemelta ankesat e kryetarit të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), Tush Berisha, dhe kandidates Anduena Culaj, kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.391/2025 lidhur me shpërndarjen e mandateve në Komunën e Klinës. Gjykata sqaroi se Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk përcakton kuotë për përbërjen e kuvendit komunal si tërësi, por vetëm për listat e subjekteve, dhe se shpërndarja e ulëseve varet nga rezultati i votave brenda çdo komune, duke respektuar kuotën minimale gjinore prej 30%.

Ndërsa në rastin e katërt, me numër lënde AA.nr.112/2025, Gjykata Supreme refuzoi ankesën e kandidatit të subjektit “Iniciativa për Mitrovicën e Veriut”, Nedzad Uglanin, kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.390/2025. Ankuesi kishte kërkuar rivlerësim të vendimit në bazë të numrit të banorëve rezident, por Gjykata konstatoi se PZAP kishte vepruar drejt dhe në përputhje me ligjin, pa bërë diskriminim apo shkelje të së drejtës zgjedhore.

Gjykata Supreme theksoi se në të gjitha rastet janë respektuar parimet themelore të procesit zgjedhor, të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe me dispozitat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. /Telegrafi/