Ambasada franceze në Tiranë ka dënuar hedhjen e molotovëve ndaj ish-shtëpisë së diktatorit Enver Hoxha, ose siç njihet ndryshe Vila 31. Tashmë ajo është shndërruar në një rezidencë për artistët ndërkombëtarë dhe menaxhohet nga një fondacion francez, çka ka sjellë reagimin e ambasadës.

“Ne dënojmë me forcë aktet e dhunës që mbrëmë arritën një nivel të papranueshëm me sulmin ndaj Vila 31 – Fondacioni Art Explora. Vila 31 është që nga viti 2025 një rezidencë për artistë ndërkombëtarë, e menaxhuar nga një fondacion francez”, njoftoi ambasada.


Ambasada franceze thotë ndër të tjera se qëllimi i fondacionit në fjalë janë shkëmbimet kulturore dhe të shërbejë si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Europës. Më tej, ambasada thotë se organizatorët e protestës nuk duhet ta injoronin këtë fakt dhe pavarësisht të drejtës për të protestuar, vënia në rrezik e rezidentëve dhe dëmet e shkaktuara janë të patolerueshme.

“Qëllimi i saj është të nxisë shkëmbimet kulturore dhe të shërbejë si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës. Organizatorët nuk mund ta injoronin këtë fakt. Vënia në rrezik e rezidentëve dhe dëmet e shkaktuara janë të patolerueshme. E drejta për të protestuar nuk është e pajtueshme me asnjë formë dhune. U bëjmë thirrje organizatorëve të tregojnë përgjegjësi”, shkruan ambasada.

Kujtojmë se në lidhje me protestën e opozitës janë vënë në pranga 4 persona për hedhjen e molotovëve.

Një reagim e ka pasur edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se artistët që qëndrojnë aty janë traumatizuar nga incidenti. Ai akuzoi Partinë Demokratike për plane dhune dhe bomba artizanale./Tv Klan