Agjencia e lajmeve iraniane Tasnim ka konfirmuar vdekjen e shefit të inteligjencës së Korpusit Revolucionar Islamik, Mohammad Kazemi dhe zëvendësit të tij Hassan Mohaqiq.

Ajo shtoi se një oficer i tretë i inteligjencës IRGC, Mohsen Bagheri, u vra gjithashtu në sulmin në Teheran, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.


Ata thuhet se u vranë në një sulm izraelit të dielën.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte deklaruar më herët se Kazemi dhe Mohaqiq ishin vrarë.

Izraeli dhe Irani filluan sulmet ndaj njëri-tjetrit për të tretën ditë radhazi të dielën, duke vrarë shumë civilë dhe duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë.

Ndërsa numri i të vdekurve vazhdon të rritet, të dyja palët kanë kërcënuar të përdorin forcë edhe më të madhe.

Ndërkohë, bisedimet bërthamore SHBA-Iran u anuluan të dielën dhe një zyrtar amerikan thotë se Presidenti Donald Trump ka hedhur poshtë një plan të izraelitëve për të vrarë liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. /Telegrafi/