Sudani e njeh Republikën e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Antalya e Turqisë ka bërë të ditur se shteti afrikan, Sudani e ka njohur pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
Osmani, përmes një postim në Facebook e ka shpërndarë një video ku shihet në takim me shefin e diplomacisë sudaneze, derisa njofton për njohjen e pavarësisë nga ky shtet.
“Sudani njeh Republikën e Kosovës! Urime të gjithë qytetarëve të shtetit tonë!”, u shpreh Osmani, transmeton Telegrafi.
Në një video përkrah ministrit të Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin e Diplomacisë në Antalya të Turqisë, Osmani tha se u njoftua nga ai për vendimin e presidentit të Sudanit për ta njohur Kosovën dhe për të lidhur marrëdhënie mes dy vendeve.
"Ishte kënaqësi dhe nder ta takoj ministrinë e Punëve të Jashtme të Sudanit. Në takimin tonë të parë, ai më ka njoftuar se presidenti i Sudanit ka njohur Republikën e Kosovës dhe se do të vendosim marrëdhënie diplomatike mes dyja vendeve tona", ka thënë Osmani.
Tutje Osmani ka thënë se "Kjo nuk ishte vetëm njohje e republikës sonë, por edhe njohje e rrugëtimi të gjatë që të jemi të lirë, të pavarur dhe sovran".
Ministri i Jashtëm i Sudanit, Ali Youssef, është ai që e ka njoftuar sot presidenten Vjosa Osmani për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në një video të publikuar nga Osmani në Facebook, ai thotë se në emër të popullit paqedashës të Sudanit e njohin Kosovën.
“Jam i nderuar dhe i privilegjuar që jam dërguar nga presidenti im këtë pasdite, dhe pas takimit me presidentin Rexhep Taip Erdogan, që ishte një rrugë e mire dhe ogur i mirë për këtë mbledhi që e kemi këtu në Turqi. Dhe që ne vendosëm ta njohim vendin tuaj të bukur. Në emër të popullit paqedashës të Sudanit, ne e njohim vendin tuaj”, ka thënë Youssef.
Ndryshe, Sudani është një ndër vendet e mëdha të Afrikës dhe ka rreth 45 milionë banorë.
Sudani është shteti i 119-të që njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo njohje vjen o shumë kohë pasi një gjë të tillë e bëri edhe një shtet tjetër afrikan – Kenia. /Telegrafi/

















































