Struga me një lojtar më pak e mundi Shkupin
Ndeshja që duhej të luhej në Çair u zhvillua në Strugë, pasi ekipi i Shkupit ka ndalesë për të luajtur në fushën e vet, njofton Telegrafi.
Duhej të ishte një derbi mes dy skuadrave që dikur luftonin për titullin kampion, por tani situata ka ndryshuar – Struga po vazhdon garën në krye, ndërsa Shkupi po kalon një krizë të thellë.
Në ndeshjen e javës së 11-të të elitës së futbollit të Maqedonisë, Struga Trimi Lum arriti një fitore të vlefshme me rezultat 1-2, edhe pse për më shumë se gjysmë ore luajti me një lojtar më pak.
Struganët e nisën fuqishëm ndeshjen dhe morën epërsinë në minutën e 24-të me golin e Kompaoré. Shkupi barazoi në minutën e 56-të me penalltinë e kapitenit Muarrem, ndërsa Struga mbeti me dhjetë lojtarë pas përjashtimit të Diakos.
Megjithatë, skuadra e Bledi Shkëmbit nuk u dorëzua. Pas një prekjeje me dorë në zonë, gjyqtari akordoi penallti në minutën e 74-të, të cilën Kompaoré e shndërroi në golin e dytë personal dhe të fitores për Strugën.
Me këtë triumf, Struga ruan ritmin në garën për kreun e tabelës, ndërsa Shkupi mbetet e fundit me vetëm një pikë të fituar dhe në krizë të thellë. Në xhiron e ardhshme, Struga luan në Shkup kundër Makedonija GJ.P., ndërsa Shkupi udhëton në Kratovë për t’u përballur me Sileksin. /Telegrafi/






























