Strategjia e Real Madridit për verën 2026, dy pozicione kyçe në shënjestër

Real Madridi ka nisur të përcaktojë strategjinë e transferimeve për verën e vitit 2026, me drejtuesit e klubit që nuk planifikojnë afrime gjatë afatit kalimtar të janarit.
Fokusimi kryesor do të jetë te përforcimi i skuadrës në verë, ku prioritet mbeten një mbrojtës qendror dhe një mesfushor qendror, me qëllim rritjen e kontrollit dhe balancës në lojë.
Pavarësisht investimit prej rreth 120 milionë eurosh në repartin defensiv verën e kaluar, Real Madridi pritet sërish të kërkojë një qendërmbrojtës të ri.

Në mesfushë, klubi ka analizuar disa opsione gjatë muajve të fundit, por sipas Diario AS, Adam Wharton nuk konsiderohet më një alternativë për “Los Blancos” dhe nuk ka plane për një lëvizje drejt mesfushorit të Crystal Palace.
Ndërkohë, Kees Smit ka fituar gjithnjë e më shumë besimin e Real Madridit.
Edhe pse fillimisht kishte dyshime për gatishmërinë e tij për një hap kaq të madh, paraqitjet e vazhdueshme të 19-vjeçarit me AZ Alkmaar kanë bindur drejtuesit se ai është një opsion real për të ardhmen.

Objektivi i preferuar mbetet Vitinha i Paris Saint-Germain, por me klubin francez që nuk pritet ta lejojë largimin e tij, Smit shihet si një alternativë e realizueshme.
Çmimi i mesfushorit holandez vlerësohet rreth 60 milionë euro, ndërsa interesimi për të nuk mungon as nga klubet e Ligës Premier, me Manchester United që raportohet se po e ndjek nga afër situatën e tij. /Telegrafi/







































