"Star Alliance" korrigjon gabimin, Prishtina tani figuron zyrtarisht si e Kosovës

Aleanca globale e linjave ajrore, Star Alliance, ka bërë korrigjimin e shumëkërkuar të destinacionit Prishtinë, duke e ndryshuar përkatësinë gjeografike nga “Pristina (Serbia)” në “Pristina (Kosovo)”. Ky ndryshim vjen pas një periudhe të gjatë insistimesh dhe reagimesh për përfaqësimin e gabuar të kryeqytetit të Kosovës në sistemet e fluturimeve.
Lajmin e konfirmoi publicisti Veton Surroi, i cili njoftoi se ky hap u arrit falë angazhimeve të vazhdueshme personale dhe së fundmi ndërhyrjes së ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
“Pas shumë insistimesh personale e së fundmi nga ana e ambasadorit Faruk Ajeti, më në fund u korrigjua një padrejtësi e madhe. Prishtina (Kosovo), pra. Faleminderit, ambasador”, shkroi Surroi në Facebook.
Ambasadori Ajeti i është përgjigjur publikisht falënderimit të Surroit, duke theksuar se institucioni që ai përfaqëson ndërhyn kudo ku Prishtina paraqitet gabimisht si pjesë e Serbisë.
“Me shumë kënaqësi angazhohemi dhe reagojmë ndaj të gjitha institucioneve apo kompanive, ku Prishtina paraqitet gabimisht si pjesë e Serbisë ose ku Republika e Kosovës nuk figuron brenda kufijve të saj kushtetues”, ka shkruar ai.
Ky korrigjim shihet si një hap simbolik, por i rëndësishëm, drejt respektimit të realitetit politik dhe shtetëror të Kosovës në platformat ndërkombëtare të aviacionit.












































