Një projekt madhor në futbollin kinez, që synonte ndërtimin e stadiumit më të madh në botë me një kapacitet prej 100,000 ulësesh dhe një kosto prej 1.6 miliard euro, më në fund ka rifilluar pas një periudhe dyvjeçare stagnimi.

Stadiumi ishte parashikuar të linte pas Wembleyn dhe Camp Noun për nga madhësia, dhe do të shërbente si shtëpia e re e Guangzhou FC, skuadrës më të suksesshme në historinë e Superligës Kineze.


Pas sukseseve të mëdha në dekadën e kaluar, përfshirë 8 tituj kampionë dhe 2 Liga të Kampionëve të AFC-së, klubi nisi ndërtimin e stadiumit në vitin 2020, duke zgjedhur një dizajn frymëzuar nga lulja e lotusit.

Por pas krizës financiare të Grupit Evergrande, i cili kishte investuar fuqishëm në klub dhe projekt, qeveria kineze ndërhyri, duke sekuestruar stadiumin pas akumulimit të një borxhi prej rreth 260 miliardë euro.

Klubi përjetoi një rënie drastike, falimentoi dhe u shpërbë, duke kaluar nga një projekt me kosto rekord te stadiumi i përkohshëm me vetëm 18,000 ulëse.

Për gati dy vjet, objekti që duhej të ishte ikonë globale e futbollit qëndroi i braktisur dhe i papërfunduar, ndërsa vinçat dhe skelat mbetën në vend.

Në vitin 2024, projekti iu dorëzua Grupit Shtetëror të Investimeve në Ndërtim të Qytetit Guangzhou, i cili vendosi të rifillojë ndërtimin, por me një version më të përballueshëm.

Kostoja e re është reduktuar në 300 milionë euro dhe kapaciteti është shkurtuar në 73,000 ulëse, ndërsa dizajni i lules së lotusit është hequr përfundimisht. /Telegrafi/

telegrafi sport app