Spitali i Pejës me rrjet të ri nëntokësor të energjisë

Kompania KEDS ka filluar sot realizimin e një projekti të rëndësishëm për Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, që ka për qëllim përmirësimin e furnizimit me energji elektrike për këtë institucion shëndetësor.
Në kuadër të projektit, rrjeti ekzistues i energjisë elektrike po zëvendësohet me rrjet të ri nëntokësor, i cili do të ofrojë më shumë siguri dhe stabilitet në furnizim.
Përmes këtij investimi, Spitali i Pejës do të ketë në dispozicion dy linja furnizimi me energji, ku njëra do të shërbejë si linjë rezervë, në mënyrë që shërbimet spitalore të mos ndërpriten as në raste të ndonjë defekti apo ndërprerjeje të papritur.
Nga drejtoria e Spitalit u bë e ditur se ky është një hap i madh drejt përmirësimit të infrastrukturës teknike dhe garantimit të një kujdesi shëndetësor më të qëndrueshëm për pacientët./Telegrafi/

















































