Spektakël me katër gola dhe rikthime - Villarreal dhe Juventus ndajnë pikët

Në xhiron e dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, Villarreal dhe Juventus dhuruan një ndeshje të zjarrtë që u mbyll 2-2, me gola spektakolarë dhe emocione deri në minutat e fundit.
Ndeshja nisi më mirë për Villarrealin. Në minutën e 18-të, Georges Mikautadze shënoi me një goditje të saktë nga brenda zonës për 1-0.
Spanjollët patën mundësinë ta dyfishonin rezultatin, por goditja e Alfonso Pedraza-s në minutën e 23-të u ndal në shtyllë.
Ndeshja vazhdoi me intensitet të lartë, dhe në minutën e 49-të Federico Gatti realizoi një supergol akrobatik me gërshërë për 1-1.

Vetëm shtatë minuta më vonë, Francisco Conceiçao përmbysi rezultatin me një aksion individual dhe një goditje të saktë brenda zonës për 2-1.
Në fund, Villarreal nuk u dorëzua. Në minutën e 90-të, Renato Veiga u ngrit mbi mbrojtjen e Juventusit pas një goditje këndi dhe shënoi me kokë për 2-2, duke vulosur një barazim dramatik dhe duke siguruar një pikë të rëndësishme për skuadrën spanjolle.

Pas dy xhirosh, Juventusi ka 2 pikë, ndërsa kjo ishte pika e parë për Villarrealin. /Telegrafi/















































