Spanja vazhdon të luftojë me zjarret në rajonet e saj veriore, ndërsa vendi është përfshirë nga nxehtësia ekstreme.

Zjarret në Leon, Ourense, Navarra dhe Avila pas dy ditësh po vihen gradualisht nën kontroll, duke lejuar më shumë se 1.500 njerëz të evakuuar si masë paraprake të kthehen në shtëpi.


Autoritetet lokale dhe ekipet e Mbrojtjes Civile thanë se zona më sfiduese mbetet rreth Leonit, ku zjarret janë ende aktive në pesë lokacione.

Deri më tani këtë vit, zjarret kanë shkatërruar rreth 36 mijë hektarë pyje në të gjithë Spanjën.

Sipas kreut të qeverisë rajonale të Castile dhe León, Alfonso Manueca, disa nga këto zjarre u shkaktuan nga aktiviteti kriminal.

"Ne do të jemi të pamëshirshëm kundër autorëve të këtyre sulmeve ndaj jetës dhe sigurisë së njerëzve, dhe ndaj trashëgimisë sonë historike dhe natyrore", tha ai.

Ndryshe, Spanja është në prag të një vale të nxehti që po hyn në javën e saj të dytë, me temperatura që arrijnë pothuajse 40 gradë Celsius në shumë rajone, dhe pritet të zgjasë të paktën deri të enjten.

Mbrojtja Civile ka lëshuar një paralajmërim për zjarre në pyje në të gjithë vendin, me një rrezik të lartë deri në ekstrem. /Telegrafi/