Spanja do të presë finalen e Botërorit 2030, konfirmon presidenti i RFEF

Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Rafael Louzan, ka bërë të ditur se finalja e Kupës së Botës 2030 do të zhvillohet në Spanjë, duke theksuar rolin kryesor të vendit në organizimin e këtij edicioni historik.
Botërori i vitit 2030 do të mbahet në mënyrë të përbashkët nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa ndeshje të tjera do të zhvillohen edhe në Uruguai, Paraguaj dhe Argjentinë.

Ky format i veçantë është planifikuar për të festuar 100-vjetorin e turneut më të madh të futbollit në botë.
“Spanja do të udhëheq Botërorin dhe finalja do të mbahet këtu”, ka thënë Louzan, duke nënvizuar se vendi ka infrastrukturën dhe përvojën e nevojshme për të organizuar ngjarje të tilla të mëdha.
Stadiumet më prestigjioze të vendit, përfshirë ‘Camp Nou’ në Barcelonë dhe ‘Santiago Bernabeu’ në Madrid, konsiderohen kandidatë kryesorë për të pritur finalen.

Përveç vlerës së tyre historike, këto impiante plotësojnë standardet më të larta të FIFA-s për organizimin e ndeshjeve të rëndësishme.
Ky njoftim vjen pas disa muajsh spekulimesh mbi vendet që do të përfshihen në organizimin e Botërorit të ardhshëm dhe pritet të ngrejë interes të madh nga tifozët dhe mediat sportive në mbarë botën. /Telegrafi/






















































