Ekipi kombëtar i Spanjës në futbollin e femrave është kualifikuar për herë të parë në finalen e Kampionatit Evropian, pas një fitoreje dramatike 1-0 ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale, duke iu bashkuar Anglisë.

Ndeshja u zhvillua në Cyrih para 22 mijë tifozëve dhe u vendos në minutën e 113-të nga Aitana Bonmati, pas kohës shtesë.


Spanjollet, kampione në fuqi të botës, dominuan ndeshjen, por nuk arritën të kalonin portieren gjermane Ann-Katrin Berger gjatë 90 minutave të rregullta.

Kapitenja Irene Paredes ishte pranë golit në pjesën e parë, kur goditi shtyllën në minutën e 40-të.

Finalja do të luhet më 27 korrik në Bazel dhe do të jetë një përballje mes Spanjës dhe Anglisë – një ripërsëritje e finales së Kupës së Botës 2023, ku Spanja fitoi 2-1.

Anglia, që mposhti Italinë 2-1 pas kohës shtesë në gjysmëfinalen tjetër, do të luajë finalen e katërt në histori dhe të dytën radhazi. Deri më tani, anglezet kanë triumfuar vetëm një herë – në vitin 2022.

Ndërkohë, kjo do të jetë finalja e parë evropiane për Spanjën. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app