Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, u shfaq i kënaqur pas fitores ndaj Romës, por njëkohësisht theksoi se skuadra e tij ende ka shumë për të përmirësuar.

Në prononcimin e tij për DAZN pas ndeshjes, tekniku italian nënvizoi rëndësinë e suksesit, por pranoi se ekipi nuk ruajti nivelin e duhur të vazhdimësisë gjatë gjithë takimit.


“Jam i lumtur, sepse fitimi i këtyre ndeshjeve është gjithmonë një sukses. Pas golit patëm një qasje tjetër, por duhet të rrisim nivelin e qëndrueshmërisë. Herë pas here ngadalësojmë, kemi pauza dhe kështu nuk mund të arrijmë nivelin e skuadrave si Roma”, u shpreh Spalletti.

Trajneri i Juventusit u ndal edhe te paraqitja e Edon Zhegrovës, duke qenë kritik ndaj kontributit të tij në aspektin defensivë.

“Zhegrova nuk di si të mbrohet, nuk di kur të sulmojë kundërshtarin apo kur të bëjë një ndërhyrje. Një ekip si Roma ka identitetin e vet, por gjithmonë ekziston një dobësi që mund të shfrytëzohet”, deklaroi Spalletti.

Ndërkohë, në një intervistë për Sky Sport, tekniku italian vlerësoi talentin e Kenan Yildizit, duke theksuar se kundërshtarët janë më të vetëdijshëm për forcën e tij sesa vetë lojtari.

“Kundërshtarët e tij e dinë sa i fortë është ai, ndoshta edhe më shumë sesa ai vetë. Ata kanë një perceptim shumë të qartë të cilësive të tij. Ai bëri një punë që nuk është pika e tij më e fortë, por kur përballesh me ekipe të ndërtuara mirë, me trajnerë që i vendosin skuadrat në mënyrë të ekuilibruar, ata të rrethojnë me mbrojtësin e tretë, të pestë dhe me mesfushorin sulmues”, shtoi Spalletti.

Në fund, trajneri i Juventusit theksoi se lojtarë si Yildiz dhe Conceicao, nëse nuk kontribuojnë në fazën mbrojtëse, bëhen më të lexueshëm për kundërshtarët, të cilët përqendrojnë vëmendjen dhe mbyllin hapësirat në zonën qendrore. /Telegrafi/

telegrafi sport app