Spahiu i jep tri pikë të arta Shkëndijës

Shkëndija ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme në Tetovë, duke e mposhtur Tikveshin me rezultat minimal 1-0, në një përballje më të vështirë se sa pritej. Këto tri pikë e rikthejnë kampionin aktual mes skuadrave kryesuese të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi.
Mysafirët nga Kavadari mund të jenë të zhgënjyer, pasi kishin raste të mira për gol, por përballë tyre gjetën një portier të pakalueshëm si Babakar Gaje.
Rasti i parë serioz i takoi mysafirëve në minutën e 14-të, kur Stojanov shpërdoroi një kundërsulm, por Gaje reagoi mrekullisht. Pak minuta më pas, edhe Latifi nuk arriti të konkretizojë një mundësi të artë.
Në minutën e 30-të, Todorovi provoi me një gjuajtje të rrezikshme, por përsëri Gaje ishte në vendin e duhur. Vetëm pesë minuta më vonë, Shkëndija ndëshkoi. Liridon Latifi depërtoi nga e majta dhe harkoi, ndërsa topi iu drejtua Sebastjan Spahiut, i cili nuk fali për 1-0, duke shënuar golin e parë me fanellën e Shkëndijës.

Ky mbeti rezultati i pjesës së parë, ndërsa në të dytën, Tikveshi pati dy raste të arta për të barazuar: fillimisht në minutën e 69-të, kur Stojanovi goditi mbi portë nga afër, e më pas në minutën e 78-të, kur Gaje ndali gjuajtjen e Sadikut. Në anën tjetër, Besart Ibraimi u përpoq të dyfishojë në minutën e 78-të, por pa sukses.
Në minutën e 94-t, Shkëndija fitoi një penallti pasi Stevkovski rrëzoi Tamban, por pas verifikimit në VAR u sinjalizua pozitë jashtë loje.
Pas kësaj fitoreje, Shkëndija arrin në kuotën e 14 pikëve, duke ndjekur nga afër Sileksin me 15 dhe dyshen kryesuese Struga – Vardari me nga 16 pikë, por kuqezinjtë nga Tetova kanë një ndeshje më pak.
Ndërkohë, sonte me fillim në ora 20:00 do të zhvillohet edhe përballja mes Vardarit dhe Rabotniçkit. Java e shtatë vazhdon nesër me ndeshjet AP Brera – Arsimi dhe Sileksi – Struga, ndërsa mbyllet të martën me takimin Pelisteri – Bashkimi. /Telegrafi/

















































