Sot, në oborrin e Shkollës Fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, gjashtë shkolla fillore nga e gjithë Kosova do të marrin pjesë në Garën Finale me Trotineta.

Aktiviteti fillon në orën 10:00 dhe përfshin nxënësit e klasave të para nga shkollat:


-SHFMU “Naim Frashëri” - Prishtinë

-SHFMU “Jeronim de Rada” - Ferizaj

-SHFMU “Asdreni” - Pejë

-SHFMU “Fehmi Agani” - Gjakovë

-SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova” - Obiliq

-SHFMU “Daut Bogujevci” - Fushë Kosovë

Kjo garë organizohet në kuadër të projektit kombëtar “Siguria në Rrugë”, filluar në vitin 2013 nga Kolegji Tempulli, në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar të Motorizimit - AMRKS, dhe me mbështetje nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Drejtoritë Komunale të Arsimit, Policia e Kosovës dhe OSCE në Kosovë.

Gjatë këtij edicioni, mbi 600 nxënës kanë marrë pjesë në ligjërata për sigurinë në rrugë, të mbështetura nga Policia e Kosovës, dhe kanë marrë materiale edukative për edukatën rrugore.

Secila shkollë pjesëmarrëse ka përzgjedhur nga katër garues, ndërsa tri vendet e para do të shpërblehen me trotineta.

Ky aktivitet, i cili zhvillohet prej më shumë se një dekadë, ka kontribuar në rritjen e vetëdijes për sigurinë rrugore dhe ka plotësuar boshllëqet në kurrikulën kombëtare për edukatën në trafik.

Ekipi organizativ i aktivitetit fton mediat që të ndjekin këtë ngjarje edukative, e cila është një kontribut për përmbushjen e Planit Global për Dekadën e Veprimit për Sigurinë Rrugore 2021–2030 të OKB-së.