Sot vazhdon numërimi i votave tjera të mbërritura me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të vazhdojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se bëhet fjalë për fletëvotimet e tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës, të cilat tashmë janë sjellë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sipas njoftimit të KQZ-së, më 2 janar janë tërhequr gjithsej 8,180 pako me fletëvotime nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë.
Ndërkaq, më 5 janar janë tërhequr edhe 11,867 pako të tjera nga 13 kuti postare në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Berlinin, Vjenën, Bernën, Brukselin, Hagën, Podgoricën, Oslon, Shkupin, Otavën, Ljublanën, Romën dhe Prishtinën.
Numërimi i këtyre fletëvotimeve po zhvillohet në QNR dhe përfshin pjesën e dytë të votave të ardhura përmes postës nga diaspora.
KQZ ka theksuar se procesi do të vazhdojë gjatë ditës së sotme, deri në përfundimin e numërimit të këtyre pakove. /Telegrafi/


































