Sot u sanksionova nga Rusia - është një medalje nderi

Lista më e fundit pasqyron shoqërinë që po ndjek kursin e pashmangshëm të vetë-izolimit.
Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Teksa prisja pasditen e sotme [20 gusht] fluturimin nga Kopenhaga në Londër, më njoftuan se emri im ishte përfshirë në listën më të fundit të kundër-sanksioneve të Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Kjo do të thotë se nuk kam më mundësi të udhëtoj në Rusi për kërkime, turizëm apo ndonjë qëllim tjetër.
Reagimi im ndaj këtij lajmi ishte kontradiktor. Nga njëra anë, e perceptova si një medalje nderi. Qëkur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, kam shkruar dy libra dhe kam dhënë një numër të panumërt intervistash në media për ndikimin shkatërrues të luftës mbi popullin ukrainas dhe sigurinë ndërkombëtare. Ishte inkurajuese të përfshihesha në një listë krah kolegut tim të nderuar në RUSI [Royal United Services Institute], Tom Keatinge, i cili është zë udhëheqës në mbështetje të sanksioneve më të zgjuara kundër Rusisë, si dhe shumë analistëve të tjerë punën e të cilëve e admiroj.
Nga ana tjetër, ishte edhe një ndjenjë e hidhur. Në vitet para pushtimit rus të Ukrainës, unë isha vizitor i rregullt në Moskë dhe në Shën Petersburg. I vlerësoja shumë muzetë madhështorë të artit të Rusisë, bukurinë e saj natyrore dhe historinë e jashtëzakonshme. Po ashtu, i përdorja vizitat për të bashkëpunuar me ekspertë rusë, me zyrtarë dhe studentë të tjerë të studimeve pasuniversitare.
Qëllimi im ishte të kuptoja më mirë ndryshimet socio-ekonomike, politike dhe të politikës së jashtme të Rusisë, në mënyrë që të realizoja botime të vlefshme dhe të jepja këshilla të sakta për qeveritë perëndimore. Edhe pse kishte shumë mospajtimeve të thella - nga interpretimet e historisë sovjetike deri te luftërat në Ukrainë dhe Siri - shpresoja që angazhimet e mia të kontribuonin, qoftë edhe në mënyrë shumë të vogël, për një të ardhme më paqësore. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe shkatërrimi total i marrëdhënieve Rusi-Perëndim ishin skenarët më të këqij që shpresoja shumë t’i shmangia.
Përveç ndjenjave të mia personale, nuk mund të mos ndiej neveri për distopinë në të cilën është shndërruar Rusia e Putinit. Arsyet për sanksionimin e studiuesve, konsulentëve dhe gazetarëve britanikë ishin formuluar në mënyrë qesharake. U akuzuam për promovimin e rusofobisë militante, mbështetjen e neonazizmit në Ukrainë dhe për lejimin e neokolonializmit perëndimor në Jugun Global. Si një person me prejardhje ruso-hebraike dhe indiane, nuk munda të mos qesh me ironitë e pafundme të pakuptimta.
Megjithatë, humori u fashit shpejt. Lista më e fundit e sanksioneve të Rusisë pasqyron një shoqëri që po ndjek një kurs të pashmangshëm të vetë-izolimit. Ndërsa shteti rus pretendon se po i mbron qytetarët e vet nga vlerat e huaja dhe ndikimet nënshtruese, populli rus është ai që ka më shumë për të humbur nga karantina e vetë-imponuar e një Kremlini të shtyrë nga etja për pushtet.
Rusia ka detyruar disa nga intelektualët e saj më të talentuar kozmopolitë të shkojnë në mërgim dhe ka burgosur shumë prej atyre që guxuan të qëndrojnë. Çdo ditë Kremlini gjen mënyra të reja dhe tinëzare për t’i shkëputur rusët nga bota e jashtme. Rusia po godet aplikacionet e mesazheve si WhatsApp dhe Telegram, të cilat tani lidhen me mashtrim dhe terrorizëm, dhe po planifikon akte të reja të panevojshme shtypjeje - si kriminalizimi i kërkimeve “të papërshtatshme” në internet.
Ndërsa presidenti Donald Trump përpiqet ta bindë Rusinë të pranojë paqen në Ukrainë dhe i ofron asaj një mundësi për të shpëtuar nga sanksionet, Kremlini vazhdon ta çojë Rusinë drejt një të ardhmeje më të errët totalitare. Teksti i listës së sanksioneve të Rusisë ofron një dritare mbi irracionalitetet dhe paranojat që e bëjnë të pamundur një paqe të qëndrueshme në Evropë, nëse Putini dhe sistemi që ka krijuar mbeten në fuqi.
Kur përcjellësi i FSB-së [shërbimit sekret rus] e talli i disidentit rus Vladimir Kara-Murza, duke i thënë se nuk do ta shohë më kurrë atdheun, ai u përgjigj: “Shiko, unë jam historian, unë jo vetëm që mendoj, jo vetëm që besoj, por unë e di se do të kthehem në shtëpi, në Rusi, dhe kjo do të ndodhë shumë më shpejt nga sa mund të imagjinoni”.
Edhe unë shpresoj që një ditë të kthehem në një Rusi që jeton në paqe me fqinjët dhe që pranon një minimum themelor të lirisë njerëzore. Sot, ai moment duket shumë i largët. /Telegrafi/

















































