Të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që sot, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nënë Tereza”), do të bëhet promovimi i librit "Bela Bartok kundër Perandorisë së Tretë" i autorit Kjell Espmark në kuadër të kolanës “Effugium” - projekt i mbështetur nga "Evropa Kreative".

Jua rikujtojmë se “Dukagjini” është shtëpia e parë botuese nga Kosova që është bërë pjesë e projektit kulturor “Evropa Kreative”, me mbështetjen e së cilës botohet, pra, "Bela Bartok kundër Perandorisë së Tretë" e autorit Kjell Espmark.


Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë:

Edita Kuçi-Ukaj, përkthyese e librit; dhe

Rafet Rudi, kompozitor dhe dirigjent.

Promovimi do të moderohet nga Liridona Bytyçi.

Shënim për librin:

“Bela Bartok kundër Perandorisë së Tretë” nga Kjell Espmarku ndërthur artin, historinë dhe politikat e kulturës, duke eksploruar jetën dhe veprimtarinë e kompozitorit Bela Bartok në kontekstin e “Perandorisë së Tretë”. Espmarku, me mjeshtri të shquar, analizon tensionet midis identitetit kombëtar dhe ambicieve artistike, duke na i nxjerrë në pah ndikimet e konteksteve politike në krijimtarinë muzikore.

Shënim për autorin:

Kjell Espmarku është shkrimtar, poet dhe eseist suedez, lindur më 1930. Ai ka shkruar një varg librash të njohur, duke përfshirë poezi, ese dhe romane. Espmarku është i njohur për qasjen e tij të thellë dhe filozofike, i cili, në librat e tij, ndërthur tema, si: historia, kultura dhe roli i individit. Ai, po ashtu, njihet edhe për përkthimet e tij. Kjell Espmarku është shpallur fitues i disa çmimeve prestigjioze, duke përfshirë Çmimin e Letërsisë të Suedisë.

Ky promovim është mundësi e mirë që të diskutohet për një botim mjaft të veçantë që përkthehet për herë të parë në gjuhën shqipe.