Sot nis festivali më i madh i birrës dhe muzikës "Beerfest Kosova 2025"
Festivali më i madh i birrës dhe muzikës live në Kosovë, Beerfest Kosova 2025, hap sonte dyert për edicionin e tij të radhës, duke premtuar katër net të paharrueshme plot atmosferë festive, performanca spektakolare dhe shumëllojshmëri birrash nga brende vendore dhe ndërkombëtare.
Festivali mbahet në parkingun prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë, më 14, 15, 16 dhe 17 qershor, duke hapur dyert nga ora 17:00, ndërsa hapja zyrtare e festivalit do të bëhet në ora 20:00.
Line-up-i i këtij viti sjell emra të njohur të skenës muzikore shqiptare, duke përfshirë: Rina Balaj, Capital T, Buta, Majk, Ya Nina, Dafina Bytyqi, Zanzi Band, Diana Mehmetaj, Ylli Matoshi, Ereza Cerkini, Blerando, BB Poqi e shumë të tjerë.
Në natën e parë të festivalit, skena do të ndizet nga performancat e Rina Balaj, Majk, Ylli Matoshi, Leonard Gashi, Biondi, Urani, Erza Qerkini dhe Zanzi Band, të cilët pritet të sjellin një atmosferë të zjarrtë për publikun.
“Organizatorët falënderojnë Komunën e Prishtinës për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe institucionet që do te kujdesen për mbarëvajtjen e festivalit: Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, Shërbimin Emergjent dhe të gjitha ekipet mbështetëse, që sigurojnë zhvillimin e ngjarjes në mënyrë të sigurt dhe të organizuar”, thuhet në një komunikatë për shtyp.
Beerfest Kosova mbetet një nga atraksionet më të mëdha të verës në Prishtinë, që çdo vit mbledh mijëra vizitorë nga vendi dhe rajoni për të festuar në një ambient me muzikë live dhe shije të veçanta birrash vendore dhe ndërkombëtare.









































