Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka konfirmuar publikisht se situata e krijuar me yllin egjiptian Mohamed Salah është tejet e tensionuar, duke e cilësuar “larg së qenit ideale” për klubin, skuadrën dhe vetë lojtarin.

Konflikti shpërtheu pas barazimit me Leeds, kur Salah akuzoi klubin se ishte “hedhur nën autobus”, një deklaratë që ka shkaktuar tronditje brenda kampit të kuq.


Pas kësaj deklarate të bujshme, Liverpooli ka marrë masë të menjëhershme disiplinore duke përjashtuar Salahin nga skuadra për ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Interit.

Slot konfirmoi se vendimi lidhet drejtpërdrejt me komentet e futbollistit.

“Situata me Salah është shumë larg së qenit ideale. Nuk është e mirë për klubin, për ekipin dhe as për të. Reaguam në mënyrën që menduam të duhur dhe vendosëm të mos e marrim me vete. Kjo tregon qartë se çfarë menduam për komentet e tij”, ka thënë Slot për Prime Video Sport.

I pyetur nëse Salah do të rikthehet për sfidën e ardhshme të Ligës Premier kundër Brighton, Slot shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke thënë se fokusi i skuadrës për momentin është te dueli ndaj Interit.

Përjashtimi i Salah vjen në një moment delikat për Liverpoolin, ndërsa e ardhmja e egjiptianit në “Anfield” tashmë duket më e pasigurt se kurrë. /Telegrafi/

telegrafi sport app