Italiani Francesco Calzona drejton Sllovakinë si përzgjedhës që nga 30 gushti 2022, por e ardhmja e tij mund të vihet në pikëpyetje vetëm pak javë para ndeshjes gjysmëfinale të play-offit për kualifikim në Botërorin 2026 kundër Kosovës, e cila do të zhvillohet më 26 mars të vitit të ardhshëm.

Në muajin shkurt pritet të mbahen zgjedhje në Federatën e Futbollit të Sllovakisë, dhe në këtë kontekst po diskutohet gjerësisht e ardhmja e Calzonas.


Petr Kaspar, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të federatës, ka deklaruar se drejtuesit e futbollit sllovak mund të marrin në konsideratë edhe një trajner italian për stolin e kombëtares, një temë që diskutohet që nga fillimi prej se Calzona e mori drejtimin.

Calzona, i cili nuk ka pasur një rrugë të lehtë si trajner i huaj, është përballur me lavdërime dhe kritika nga publiku, me disa tifozë që kërkojnë largimin e tij pas çdo performance të dobët.

Herën e fundit kjo ndodhi pas humbjes 6-0 ndaj Gjermanisë në ndeshjen e fundit të fazës kualifikuese. Në kualifikimet e rregullta, Sllovakia regjistroi katër fitore dhe dy humbje.

Kontrata e Calzonas është e vlefshme deri në fund të marsit, por zgjedhjet e ardhshme mund të sjellin ndryshime.

Një komitet i ri ekzekutiv mund të shqyrtojë menjëherë performancën e Calzonas dhe të vendosë nëse ai do të vazhdojë në stol. Një ndryshim i tillë vetëm disa javë para ndeshjeve vendimtare konsiderohet i vështirë, por në sport dhe prapa skenave, asgjë nuk është e sigurt. Petr Kaspar ka vlerësuar se kalimi i Sllovakisë në plejof është një sukses i madh.

Analiza e mediumit sllovak për Kosovën

Mediumi sllovak “Sport Web” i ka kushtuar vëmendje edhe Kosovës, duke theksuar se përparësia e vetme e Sllovakisë në këtë përballje është paraqitja përpara tifozëve të tyre.

"Por së pari, Sllovakia duhet të kalojë përballë Kosovës, një sfidë që nuk do të jetë e lehtë. Ekipi ballkanik luan shpejt, agresivisht dhe me shumë pasion, ndërsa cilësia tradicionale ballkanike në mbajtjen e topit nuk mungon. Kosova është një vend i ri në futboll, me një popullsi nën dy milion banorë, por me futbollistë cilësorë. Shumë prej tyre kanë luajtur më parë për ekipet e të rinjve të Gjermanisë, Zvicrës dhe vendeve skandinave, ku kanë mësuar disiplinën dhe qëndrueshmërinë mendore. Kur këto cilësi kombinohen me entuziazmin dhe kreativitetin tradicional ballkanik, mund të krijojnë një armë të rrezikshme në fushë", shkruan ky medium.

Megjithëse Sllovakia dhe Kosova nuk janë ndeshur më parë, disa lojtarë nga të dyja ekipet njihen mirë mes tyre. Kapiteni dhe qendërmbrojtësi ynë, Amir Rrahmani ka si shok skuadre Stanislav Lobotkan e Napolit.

Mediumi përmnd edhe emrat e lojtarëve si Vedat Muriqi (Mallorca) Edon Zhegrova (Juventus) dhe Milot Rashica (Besiktas).

Po ashtu ka reshta edhe për Franco Fodan, i cili mori drejtimin e Kosovës në shkurt 2024 dhe nën udhëheqjen e tij, ekipi kombëtar ka regjistruar 12 fitore nga 19 ndeshje, duke treguar një konsistencë të mirë dhe potencial të madh për sfidat që vijnë. /Telegrafi/

telegrafi sport app