LAJMI I FUNDIT:

Skillz me album dhe videoklip të ri

Skillz me album dhe videoklip të ri

Rap-grupi kosovar “Skillz"?, të cilin e përbëjnë, Ledri Vula dhe Visar Shala, kanë promovuar, të martën, në Sheshin 21, albumin me 17 këngë të rrymës rap, si dhe videoklipin më të ri.

“Albumi përmban shtatëmbëdhjetë këngë. Është bërë një punë e madhe për këtë album dhe falë shokëve dhe miqve tanë, ky album ka parë dritën”, thotë frontmeni i “Skillz”, Ledri Vula për Telegrafin.

Në këtë album “Skillz” ka bashkëpunuar me disa këngëtarë të njohur të skenës muzikore shqiptare si, Getoar Selimin e “Tingullit 3nt”, këngëtaren shkupjane Tuna etj.


“Përveç bashkëpunimeve me Tunën, Getin dhe Real 1, në tekste dhe kompozime, kemi bashkëpunuar edhe me Flori Mumajesin, këngëtarin dhe kompozitorin nga Tirana”, thotë këngëtari Vula.

Ndërsa, kolegu i tij, Visar Shala, thotë se, falë punës së palodhshme të producentëve të albumit të tyre, Dardan Belegu dhe Getoar Selimi, ata kanë arritur të realizojnë një album, ashtu siç kanë pasur dëshirë ata, pra një album tamam që frymon në kulturën e hip-hopit.

Ndryshe, për tekstet e këngëve të këtij albumi, i pari në karrierën e “Skillz”, është përkujdesur Ledri Vula, i cili i ka të gatshme edhe rreth 150 tekste të tjera për këngët e ardhshme të këtij rap-grupi. “Po është e vërtetë se kam 150 tekste. Ka raste kur frymëzohem edhe në orën 3 pas mesnate dhe shkruaj. Ndryshe tekstet në albumin e ri, trajtojnë temat nga më të ndryshmet, ka dashuri, tema sociale etj”, thotë ai.

Në anën tjetër, kolegët e “Skillz”, mendojnë se këta raperë kanë realizuar një album mjaft cilësor, me këngë që frymojnë tamam në muzikën e hip-hopit.

“Skillz janë një rap-grup i vaçantë. Më pëlqyen këngët dhe, sidomos videoklipi”, thotë Genc Prelvukaj, frontmen i rap-grupit “Etno Engjujt”. Njëjtë mendon edhe Fatmir Miftari i grupit “Hija e jetës”. “Skillz kanë bërë do sene shumë të mira. Më pëlqyen këngët dhe videoklipi i ri që kanë bo”, thotë ai.

“Skillz” kanë realizuar videospotin profesional nga produksioni i RTV 21-së. Ndërsa, në promovimin e këtij videospoti dhe albumit, te dy djelmoshat e këtij rap-grupi kanë performuar këngët e tyre “Live”, para publikut të shumtë, i pranishëm në këtë promovim.