Skenografi brilante evropiane në Shtëpinë e Bardhë!

Në shtypin shqiptar dhe atë ndërkombëtar vazhdon të përcillet me jehonë të madhe, me shumë debate, pohime dhe vlerësime politike, diplomatike dhe publike, samiti historik i zhvilluar më 18 Gusht në Shtëpinë e Bardhë. Mikpritësi i tij, presidenti Donald Trump, zhvilloi një maratonë të vërtetë bisedimesh me presidentin ukrainas Zelenski dhe shtatë krerët e BE-së dhe NATO-s.
Me këtë rast ka patur dhe ka dhe komente negative të ekzagjeruara si “Presidenti Trump i vuri në rresht evropianët”! Të tjerë ngrenë në qiell njërën palë dhe ulin palën tjetër, duke thënë se “Evropa u tregua e dobët, hipokrite, servile dhe e nënshtruar.”
Mirëpo, kur Samitin e Uashingtonit e analizon nga këndvështrimi protokollar dhe sidomos i realpolitikës, del qartë se në komente të tilla ka fare pak të vërteta; ca më keq akoma, në to mbizotëron fryma partiake, e njëanshme, paragjykuese, me analiza vetëm “bardh e zi”.
Me avantazhin që më jep përvoja e gjatë në diplomacinë aktive profesioniste, brenda dhe jashtë vendit, mund ta pohoj qysh në fillim se skenografia, paraqitja dhe performanca e lidershipit më të lartë evropian në Shtëpinë e Bardhë, më 18 gusht ishte efektive, e suksesshme, dinjitoze, në solidaritet me Kievin dhe presidentin Zelenski si dhe synimet e tyre madhore për paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Këtë e pohojnë dhe shumica dërmuese e analistëve dhe politologëve në Evropë dhe në Amerikë.
Kjo paraqitje, me një skenografi të suksesshme, shpjegohet me disa fakte dhe faktorë politikë dhe diplomatikë. Së pari, ajo i dedikohet përvojës së gjatë diplomatike të liderëve evropianë, me përjashtim të Starmerit britanik, i cili ka vetëm një vit si kryeministër, por me bilanc të pasur gjeopolitik.
Gjithsesi, në rastin konkret, meritën kryesore e ka koreografia e shkëlqyer diplomatike e përgatitur nga ekipi më i lartë evropian, me kujdes dhe vëmendje maksimale deri në detajet më të vogla. Si ata dhe presidenti Zelenski kishin nxjerrë mësimet e duhura nga pësimet e kaluara; ndërkohë, gjatë muajve të fundit, të shtatë liderët evropianë, pa përjashtim, kishin kaluar me sukses “ provat gjenerale” me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, në kryeqytetet e tyre dhe së fundi në Samitin e NATO-s në Hagë më 24-25 qershor 2025.
Veç sa sipër, përpara se të fluturonin në Uashington, ata kishin zhvilluar konsultime me njëri-tjetrin dhe me ekspertët përkatës deri dhe te gjuha e trupit, si dhe videokonferencën me Trumpin më 13 gusht.
Në vijim, suksesin në fjalë e garantonte përbërja partiake pluraliste e tyre. Ndonëse ata u përkasin partive laburiste, liberale, kristian-demokrate dhe neofashiste, të dukej sikur i takonin një partie të vetme. Një episod brilant ky i kohezionit dhe unitetit të Evropës në një prej momenteve më sfiduese për të. Tejet domethënës ishte dhe përfaqësimi i tyre; aty ishin Ursula von der Leyen, presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, e cila sapo kishte nënshkruar paqësisht me mikpritësin e samitit marrëveshjen për tarifat doganore me ShBA-në; Mark Rutte, sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, ish-kryeministër për 13 vjet rresht i Holandës, bashkëthemeluese e Aleancës; ai njihet dhe si “pëshpëritësi në vesh“ i Trumpit, “skenografi“ dhe organizatori i Samitit të Hagës me vendimet tashmë të njohura historike. Njeriu që u kujdes vetë për çdo detaj në atë samit, duke i rezervuar presidentit Trump një mikpritje dhe trajtim mbretëror të pashembullt, të cilën ai e vlerësoi në maksimum me fjalët më të ngrohta.
Aty ishin Starmer, Macron, Merz dhe Meloni, liderët e katër ish-fuqive të mëdha botërore, dy prej të cilave janë anëtare të përhershme të KS të OKB-së. Bashkë me ta, presidenti i një vendi të vogël si Finlanda, Alexander Stubb, por shumë i pëlqyer nga Trumpi dhe, si lojtar golfi, ca më tepër si vend fqinj me Rusinë që e kupton dhe e shpjegon më mirë e më bindshëm situatën e rrezikshme në rajon.
Faktor tjetër për suksesin evropian dhe të samitit, në përgjithësi, ishte qëndrimi i pozitiv i liderëve evropianë pas fiaskos së samitit të Alaskës Trump-Putin, për të cilën ata gjithsesi vlerësuan përpjekjet e Trumpit; por, nga ana tjetër, Alaska ishte për ta kambanë e vërtetë alarmi; ndaj, me finesën e njohur diplomatike evropiane, me frymë pozitive dhe vlerësuese ata kërkuan që më 18 gusht të ishin të pranishëm në takimin Trump-Zelenski. Pra, nuk është se “i vuri Trumpi në rresht“ liderët evropianë, por ata i kërkuan atij dhe ky i fundit ishte tejet i interesuar t‘i kishte ata në krah; madje, “të shtrëngonte radhët“ me evropianët, çka natyrisht u pa me sy të mirë edhe në ShBA, duke hequr disi shijen e hidhur që Ankorazhi.
Pjesë tejet e rëndësishme e asaj koreografie ishte dhe ndarja e roleve që do të luante secili lider evropian. Në mënyrë që të shmangej kakofonia politike, që të mos kërkonin të gjithë të njëjtën gjë - çka mund të bëhej e bezdisshme për mikpritësin duke prishur atmosferën dhe për pasojë dhe vetë samitin me pasoja të paparashikueshme. Kështu, kancelari gjerman Merz, i mbështetur nga presidenti Macron u ndal me theks të veçantë te realizimi i armëpushimit, si kusht i domosdoshëm për paqe të qëndrueshme. Rivendosja në agjendë e armëpushimit ishte arritje e shënuar e atij samiti edhe pse puna, pengesat dhe përpjekjet vijojnë më tej. Mark Rutte, Meloni dhe Starmer qëndruan më fort te garancitë e sigurimit, që ato të jenë të ngjashme me Nenin 5 të mbrojtjes kolektive të NATO-s. Idenë e tyre e përforcoi presidenti Stubb, duke përmendur përvojën e hidhur finlandeze gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe mbas vitit 1945 me Rusinë, duke u detyruar të bënte shumë lëshime territoriale; dhe, prapë Helsinki dy vitet e fundit hoqi dorë nga neutraliteti në favor të anëtarësimit në NATO-s për shkak të kërcënimit rus. Rifutja në rend të ditës e kësaj teme jetike për paqen në Ukrainë, ishte komponenti i dytë themelor i suksesit të Uashingtonit.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, veç të tjerash nënë e shtatë fëmijëve dhe gjyshe e shumë nipërve dhe mbesave, ashtu si dhe presidenti Trump, dha alarmin me nota të qeta, por bindëse lidhur me fatin e mijëra fëmijëve ukrainas në Rusi - në mbështetje të letrës së Melanias, bashkëshortes së presidentit Trump për Putinin dhe letrës së Zonjës së Parë ukrainase për Melania Trumpin. Aq prekës rezultoi ky gjest kuptimplotë, sa presidenti Trump ndërpreu takimin për t’i telefonuar Putinit. Po aq shumë u prek presidenti Trump dhe nga dhurata e veçantë e Zelenskit, një shkop golfi, dhuratë nga një sportist ukrainas i plagosur në luftë. Në përgjigje, Trumpo i dërgoi atij një mesazh emocionues.
Vetë Zelenski, këtë radhë, i “përforcuar në mbrojtje“ nga shtatë liderët kryesorë evropianë, kishte vënë mend nga incidenti i muajit shkurt në Shtëpinë e Bardhë. Duke filluar nga veshja me kostum dhe pse pa kollare që Trumpi e vlerësoi; dhurata simbolike dhe fakti që brenda 10 sekondave të para lavdëroi katër herë rresht mbështetjen amerikane dhe presidentin Trump. Kështu, ai e plotësoi më së miri skenografinë mjeshtërore evropiane në atë samit historik.
Pjesë përbërëse e atij suksesi ishte dhe fjalori i zgjedhur i liderëve evropianë, që t’i përshtatej siç duhej zhargonit politik të Trumpit; duke shmangur fjalë dhe koncepte që mund ta bezdisnin apo irritonin atë, ata nuk përmendën fjalën “sanksione”, por folën “për tatime doganore“, dhe në vend të fjalës “lëshim/dorëzim territori“ përdorën “shkëmbime territori“ etj.
Përfundimisht, falë kësaj koreografie të përkryer diplomatike, shtatëshja evropiane bashkë, me presidentin Zelenski, ia doli mbanë ta shkëpuste Trumpin, qoftë dhe përkohësisht nga “ kthetrat” putiniane, duke e mbajtur atë sa më gjatë në bordin euroatlantik - edhe pse nuk dihet për sa kohë, mbasi problemet po dalin sërish në sipërfaqe, çka kërkon skenarë dhe koreografi të reja të cilat, krahas diplomacisë evropiane “shik“ duhet të jenë “të veshura“ me përmbajtje të vërtetë thelbësore gjeopolitike dhe të mbështeten sa më shpejt dhe me forcën e duhur ushtarake. Ndaj, Evropa muajt e fundit e në vazhdim është mobilizuar si asnjëherë më parë në të gjitha frontet, me synimin e saj madhor për t’u kthyer në një fuqi dhe bashkim të madh ushtarak dhe mbrojtës, çka kërkon kohën e vet.
Në këtë kuptim dhe në mungesë të alternativave, mjeteve dhe mënyrave të tjera, performanca diplomatike evropiane më 18 gusht në Uashington ishte mishërimi i një modeli të kombinuar të diplomacisë klasike, diplomacisë së ecejakeve dhe asaj të korridoreve me diplomacinë e sharmit dhe “fuqisë së butë“ ku Evropa shquhet prej shekujsh.
E fundit, por dhe më e rëndësishmja, nuk ka dyshim se suksesi evropian më 18 gusht në Uashington, nuk do të ishte i garantuar pa rolin e qenësishëm dhe sjelljen pro-evropiane të presidentit Trump si mikpritës i samitit më të madh euroatlantik të zhvilluar ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë. Tejet pozitiv, i qeshur, me respekt, humor dhe lëvdata për të gjithë mysafirët e lartë evropianë, me interes për një ujdi sa më të shpejtë dhe në bashkëpunim me evropianët, duket se Trump më në fund e ka kuptuar sugjerimin e mençur të gjeneralit Ben Hodges, ish-komandanti amerikan i NATO-s për Evropën në vitet 2014-2017, se, sado e fortë, Amerika nuk bën dot pa aleatë dhe aleatët e saj më besnikë dhe tradicionalë janë evropianët. Mbetet për t’u parë se sa konsekuent do të tregohet presidenti Trump që shquhet për paparashikueshmëri dhe paqëndrueshmëri në të tilla raste.
Sa për ata që qortojnë liderët evropianë se u treguan servilë, përkëdhelës dhe të nënshtruar, le të rikujtojmë se liderët evropianë dhe më parë, sidomos kur shkuan në Uashington, ishin të bindur se pa “Pax Americana“, pa mbështetjen vendimtare të Trumpit dhe ShBA-së, në të gjitha fushat dhe mbi të gjitha në atë ushtarake, Evropa e ka të pamundur të përballojë kërcënimin rus, si dhe të krijojë garancitë e duhura të sigurimit për paqe të qëndrueshme në Ukrainë dhe në krejt Evropën. Këtë Evropa e ka ditur dhe e ka pranuar si realitet dhe si aleate e ShBA-së qysh me krijimin e NATO-s më 1949 dhe të BE-së më 1958. Madje, pikërisht nisur nga ky besim absolut, ashtu si dhe ShBA-ja, BE-ja ka bërë disa gabime me pasoja të rënda gjeopolitike dhe këto 20 vjetët e fundit; prandaj, ato janë analizuar hollësisht në shkrime të mëparshme dhe Evropa tani po nxjerr mësimet e duhura.
Është fakt i pamohueshëm se ashtu si e ka përshkruar dekada më parë Jean Monnet, një ndër baballarët e saj më të mëdhenj: “Evropa forcohet nëpërmjet krizave dhe si shumatore e alternativave për kapërcimin e tyre”. Paraqitja dinjitoze evropiane në Uashington e përforcon më tej këtë fakt fatlum historik.
Në mbyllje të këtij shkrimi, nuk mund të mos shprehim habinë për “memecllëkun“ e treguar nga qeveria, shumica parlamentare dhe diplomacia jonë në të gjitha nivelet lidhur me samitin e Alaskës dhe të Uashingtonit - një heshtje e tillë ndoshta unikale, e pashpjegueshme dhe e pajustifikueshme, kur ne nuk kemi lënë hall dhe telash të botës pa u prononcuar, madje dhe duke dhënë mend e jo më për këto dy samite historike, me ndikime të pritshme dhe në rajonin dhe vendin tonë.
Sido të ishte puna, mund dhe duhej të ishte bërë një prononcim modest me frymë pozitive, duke vlerësuar përpjekjet dhe ndihmesën madhore amerikane dhe të BE-së për këto dy samite, për paqen në Ukrainë kur dihet kontributi ynë i njohur dhe modest në këtë fushë - ca më tepër si vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE. Gjithsesi, ka ende kohë për të shprehur qëndrimin tonë zyrtar. /Telegrafi/

















































