Skenderaj teston gatishmërinë për emergjenca me ushtrimin “Vërshimet 2026”


Komuna e Skenderajt ka njoftuar se sot, më 10 qershor 2026, duke filluar nga ora 11:00, do të organizohet ushtrimi fushor “Vërshimet 2026 – Skenderaj”, në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Bankën Botërore dhe Kryqin e Kuq të Kosovës.
Sipas njoftimit, ushtrimi do të zhvillohet në ambientet e Shkollës Fillore “Ahmet Delia” në Skenderaj dhe do të përfshijë institucionet kryesore të reagimit emergjent, përfshirë Policinë e Kosovës, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Emergjencën Spitalore.
Qëllimi i këtij aktiviteti është testimi i kapaciteteve dhe koordinimit ndërinstitucional për reagim në rast të situatave emergjente të shkaktuara nga vërshimet.
Komuna ka bërë thirrje që qytetarët të mos shqetësohen dhe të mos krijojnë panik gjatë zhvillimit të ushtrimit, pasi bëhet fjalë për një simulim të planifikuar dhe jo për një situatë reale emergjente. /Telegrafi/



































