“S’ka vija të kuqe”? Këta janë skenarët për formimin e qeverisë së re

Kushdo që dëshiron të formojë qeverinë duhet të ndryshojë fjalët që ka pasur gjatë fushatës zgjedhore, thonë analistët politikë.
Sipas tyre, pas qartësimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit është e detyrueshme arritja e një koalicioni për formimin e qeverisë.
Të njëjtit theksojnë se pavarësisht deklarimeve politike, s’ka më vija të kuqe si brenda faktorit shqiptarë por edhe në bashkëpunim me pakicat, përfshirë Listën Serbe.
Skenari më real konsiderohet që Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve, në koalicion me Nisma-Socialdemokrate që ka fituar tre deputetë dhe së bashku edhe me komunitetet jo serbe të formojnë qeverinë e pakicës.
Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia edhe një koalicioni më të gjerë mes LVV-së dhe LDK-së. Në anën tjetër, formimi i qeverisë nga partitë opozitare shihet më i vështirë, siç thonë mungesës së gatishmërisë për kompromise dhe maksimalizimit të kërkesave të liderëve politikë.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, pastaj Lidhja Demokratike të Kosovës dhe e katërta, sipas votave, është radhitur koalicioni AAK-Nisma. Në bazë kësaj, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 48 deputetë në Kuvend, PDK-ja 24 deputetë, LDK-ja 20 deputetë, AAK-NISMA 8 deputetë si dhe komunitet pakicë 20 vendet e rezervuara.
Politologu, Artan Muhaxhiri, thotë për KosovaPress se në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, vendin e pret një periudhë më e vështirë në konstituimin e Kuvendit si dhe formimin e qeverisë. Ai pret diskutime të shumta mes partive politike, megjithatë nuk e përjashton mundësinë edhe të shkuarjes në zgjedhje të reja si pasojë e ngërçit që mund të krijohet.
“Kushdo që dëshiron të formojë qeverinë duhet të ndryshojë fjalët që ka pasur gjatë fushatës zgjedhore. S’ka më vija të kuqe, s’mund të ketë si brenda faktorit shqiptarë ashtu edhe në bashkëpunim me pakicat. Prandaj konsideroj se na pret një periudhë e vështirë e dialogimeve, harmonizimeve dhe kompromiseve.
As një skenar nuk është i përjashtuar, përfshirë edhe shkuarjen në zgjedhje të reja. Duke pas parasysh kokëfortësinë e liderëve politik të Kosovës nuk është e pamundshme që edhe kjo të ndodh... Ekziston skenari i marrjes së tre deputetëve të Nisma-s dhe të krijohet një qeveri që do të ishte me numra minimal, natyrisht duke përfshirë edhe deputetët e pakicave (jo serbe)....Por kjo qeveri do të haste në probleme të mëdha, veçanërisht në sfida si zgjedhja e presidentit dhe bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare dhe veçanërisht ShBA”, thekson Muhaxhiri.
Edhe sipas analistit politik, Arbnor Sadiku, opsioni më real për formimin e qeverisë është ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, tre deputetëve të Nisma-s, siç deklaron “peshkimi” i ndonjë deputetëve nga partitë të tjera si dhe komunitetet jo serbe.
Megjithatë, ai thekson se do të varet nga lideri i LVV-së, kryeministri aktual, Albin Kurti se a dëshiron qeveri të pakicës deri në zgjedhje lokale dhe më pastaj edhe atëherë të organizohen zgjedhjet e përgjithshme.
Sipas tij, ekziston mundësia që LVV-ja të bëjë koalicion edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa e sheh si vështirë të mundshme koalicionin LVV-PDK.
“(Lëvizja Vetëvendosje) Ata e shohin opsionin që me bërë një qeveri të pakicës. Opsion mbetet peshkimi i deputetëve të opozitës në rast se nuk do të ketë deputetë të mazhorancës për me kriju numrat. Varet Kurti a do të bëjë një qeveri minimale që deri në zgjedhje lokale të shkojë dhe pastaj të bëhen zgjedhjet lokale dhe qendrore apo dëshiron të bëjë një qeveri stabile që me njërën prej partive të mëdha si PDK dhe LDK.
Deri tani sa kam parë unë brenda Lëvizjes Vetëvendosje më e pranueshme është Lidhja Demokratike për me bërë koalicion. Deri në të kaluarën kemi menduar se PDK-ja është më e afërt pas takimit të Memli Krasniqit me Albin Kurtit. Si duket pas zgjedhjeve kanë ndryshuar lojërat dhe LVV-ja i ka bërë bllok PDK-së dhe AAK-së. Për ata janë më të afërt LDK-ja dhe Nisma nëse i duhen 2-3 vota për me bërë qeverinë e pakicës”, thekson Sadiku.
Në anën tjetër, politologu, Muhaxhiri thotë për KosovaPress se aktualisht s’ka asnjë indikacion për formimin e qeverisë nga ana e partive opozitare.
Ai e sheh të vështirë një gjë të tillë, siç thotë për shkak të qasjes kokëfortë të liderëve politik, ku maksimalizohen kërkesat dhe s’arrihet kompromisi për pozitën e kryeministrit.
“Aktualisht s’ka asnjë indikacion që një gjë e tillë të ndodh. Janë të njohura këto qasjet kokëforta dhe qasjet ku maksimalizohen kërkesat nga të gjitha partitë. S’mund t’i kemi tre kryeministra dhe tre presidentë dhe dikush duhet të bëjë kompromis. Me këto qasje deri në momentin e fundit s’do të ketë qartësi”, thekson Muhaxhiri.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë të premten se po presin certifikimin e rezultateve, e më pastaj të nisin diskutimet për formimin e qeverisë së re. /KP/










































