Në Prishtinën e mbushur me flamujt shtetërorë të të dyja vendeve, sekretarja amerikane e Shtetit, erdhi të mërkurën, pasi një ditë më parë ia kishte bërë të qartë në Beograd presidentit të Serbisë, Boris Tadic se Serbia duhet të normalizojë raportet me Kosovën.

Ndalesa e parë tek statuja e bashkëshortit


Zonja Clinton me të mbërritur në Kosovë, u nderua në Aeroport nga Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë, ndërsa u prit nga ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell.

hillari me billin

Gjatë rrugës për në Prishtinë, zonja Clinton u ndal për të bërë foto tek busti i bashkëshortit të saj, ish presidenti amerikan, Bill Clinton, i cili ka merita të mëdha në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Sa ishte në Bulevardin “Bill Clinton”, Sekretarja amerikane e Shtetit, e përshëndetur nga kalimtarët e rastit, vizitoi edhe një butik rrobash që mban emrin e saj, “Hillary”.

Mbështetja amerikane vazhdon

Pas takimit të përbashkët me ushtruesin e detyrës së presidentit dhe kryeministrin, Sekretarja amerikane e Shtetit, ka pasur një takim tjetër me Thaçin me dyer të mbyllura. Pak këtij takimi në një konferencë të përbashkët për media, Clinton ka dhënë garanci se çështja e statusit të Kosovës kurrë më nuk do të vihet në tryezë diskutimi.

Clinton ofroi mbështetjen e administratës së presidentit Barack Obama, mbështetjen e saj dhe të familjes Clinton për prosperitetin e shtetit kosovarë. Sipas saj administrata Obama ka dëshirë të shohë një Ballkan të zhvilluar, ndërsa shprehu gëzimin për arritjen e shtetit më të ri në këtë rajon. Ajo tha se Kosova po ndërton një traditë të demokracisë dhe në këtë drejtim përmendi dorëheqjen e Fatmir Sejdiut nga posti i Presidentit të Republikës.

lideret

Në agjendën e dialogut do të përfshihen edhe SHBA-të

Sekretarja amerikane e Shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që sa më shpejtë të fillojnë dialogun si dy shtete, në interes të qytetarëve, duke shtuar Shtetet e Bashkuara do të jenë të përfshira në përcaktimin e agjendës së dialogut. Ajo përsëriti se gjatë qëndrimit në Beograd ua ka bërë të qartë autoriteteve serbe se temat e dialogut midis Prishtinës e Beogradit do të jenë të karakterit ndërshtetëror.

“Siç i kam thënë kryeministrit Thaçi sot, dhe presidentit Tadic dje, disa çështje, siç është statusi, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, nuk do të diskutohen. Mirëpo, liderët e të dyja vendeve duhet t’i qasen dialogut në drejtim të mirë dhe duke respektuar shqetësimet e njëri-tjetrit”, ka thënë sekretarja Clinton, në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin Thaçi.

Ajo tha se këto bisedime paraqesin një mundësi për të adresuar nevojat e menjëhershme dhe praktike për të bërë përparim drejt objektivave reciprokisht të dobishme. Që temat e dialogut të qartësohen, Clinton do të udhëtojë këtë pasdite në Bruksel. Premtimi i saj ka qenë se autoritetet në Kosovë do t’i mbajë të informuara për strukturimin e agjendës.

“Duke filluar sonte në Bruksel dhe duke vazhduar nesër, pastaj gjatë fundjavës, unë dhe kolegët e mi do të takohemi me zyrtarët e Bashkimit Evropian për të strukturuar këtë dialog... Ne mendojmë se dialogu duhet të fillojë sapo të jetë i gatshëm, sepse edhe pse do të ketë zgjedhje këtu, e pastaj edhe në Serbi në vitin e ardhshëm, ne besojmë se është në interesin e Kosovës që dialogu të fillojë dhe të mbarojë në mënyrë sa më ekspeditive të mundshme”, ka shtuar ajo.

Thaçi: Është koha të mbyllet konflikti njëshekullor

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi se suksesi i Kosovës është i lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Ai shprehu përkushtimin për bisedime me Serbinë si dy shtete të pavarura, me sovranitet dhe integritet territorial të pacenueshëm dhe me vizion të përbashkët për t’u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

thacia(1)

“Në veçanti pas prezantimit të opinionit të GJND-së, që konfirmoi të drejtën ndërkombëtare për shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran dhe mirëpritjen e këtij opinioni nga rezoluta e Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në shtator të këtij viti, është hapur tani një kapitull i ri, fazë e re edhe në relacionet shtet i Kosovës me Serbinë, është hapur një kapitull i së ardhmes dhe ai i bashkëpunimit. Pra ka ardhur koha për mbyllje të konfliktit gati njëshekullor në mes Kosovës dhe Serbisë, ka ardhur momenti i bashkëpunimit dhe shikimit kah e ardhmja. Kosova është gati”, ka thënë kryeministri.

SHBA-të inkurajojnë pjesëmarrjen e serbëve në institucione

Clinton pasdite ka vizituar Manastirin e Graçanicës, është takuar me kryetarët e komunave me shumicë serbe, që po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës dhe në orët e mbrëmjes ka mbajtur një ligjeratë për studentë të Universittetit të Prishtinës dhe Universitetit Amerikan në Kosovë.

Në takim me kryetarët e komunave ne shumicë serbe, Clinton ka shprehur gatishmërinë amerikane për t’i mbështetur në mënyrë aktive. Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin liderët në çdo nivel, që punojnë për një Kosovë të bashkuar dhe demokratike. /Telegrafi/