Sjelljet e Joachim Low në bankinë – zbulohet çfarë fshihej pas zakoneve të çuditshme të ish-trajnerit të Gjermanisë

Mandati 15-vjeçar i Joachim Low si trajner i kombëtares së Gjermanisë përfundoi pas Euro 2020, duke lënë pas një trashëgimi të pasur me suksese sportive dhe momente të paharrueshme.
Me titullin e Kampionit të Botës në vitin 2014, Low mbetet një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit gjerman. Por përveç rezultateve në fushë, periudha e tij në krye të kombëtares u shoqërua edhe me disa sjellje të pazakonta që tërhoqën vëmendjen e publikut në mbarë botën.
Gjatë turneve të mëdha, kamerat shpesh e kapnin Low duke kryer gjeste spontane si kruarja e sqetullave, ijëve apo hundës, dhe më pas duke nuhatur gishtat.
Këto skena u bënë virale në rrjetet sociale dhe media, duke kthyer trajnerin në objekt memesh dhe diskutimesh të shumta. Momente të tilla u shfaqën në Euro 2016 dhe u përsëritën edhe në Euro 2020, duke ndezur debatet për sjelljet e tij në vijën anësore.
Löw vetë e ka komentuar këtë sjellje si pasojë e stresit dhe adrenalinës së lartë gjatë ndeshjeve. Pas incidentit të famshëm në ndeshjen kundër Ukrainës në vitin 2016, ai kërkoi falje publike:
"Më vjen shumë keq. Në ato momente je kaq i përqendruar dhe plot adrenalinë, sa nuk e kupton çfarë po bën. Të gjithë ndonjëherë veprojnë në mënyrë të pavetëdijshme. Do të përpiqem të sillem ndryshe".
Psikoterapistët konfirmojnë se ky lloj reagimi është i zakonshëm në situata me tension të lartë. Felix Hoff, një specialist gjerman i intervistuar nga media 20min, e shpjegon kështu:
"Low është vazhdimisht në një gjendje tensioni ekstrem. Veprimet e tij janë shkarkime emocionale. Zona e fytyrës dhe e trupit bëhen shpesh objekt i sjelljeve kompulsive, si një mënyrë për të ulur stresin."
Ndërkohë, disa mjekë sugjerojnë se kruarja e përsëritur e hundës mund të lidhet me çrregullime obsesivo-kompulsive, si rinotileksomani, por në rastin e Löw kjo sjellje duket se është më shumë rezultat i nervozizmit momental sesa i një problemi shëndetësor.
Përfundimisht, veprimet e pazakonta të Joachim Löw në vijën anësore janë bërë një pjesë e dallueshme e imazhit të tij si trajner. Pas kamerave dhe memeve, fshihet një reagim njerëzor ndaj presionit të jashtëzakonshëm që sjell drejtimi i një ekipi në nivelet më të larta të futbollit botëror. /Telegrafi/



















































