LAJMI I FUNDIT:

Sizmologu finlandez flet për rrezikun e tërmeteve në Shqipëri

Sizmologu finlandez flet për rrezikun e tërmeteve në Shqipëri

Tërmetet nuk mund ta parashikohen, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë sizmologu finlandez, Toni Veikkolainen. Ai thotë se Shqipëria – e cila ka përjetuar një tërmet shkatërrues të martën – është shumë pranë kufirit të pllakave tektonike, andaj është zonë e prirë për tërmete.

Sizmologu nga Universiteti i Helsinkit tregon se cilat rajone të tjera në Evropë janë po ashtu në rrezik nga dridhjet e tokës.


 Të martën kishte tërmet shkatërrues në Shqipëri. Sa është kjo zonë e prirë ndaj tërmeteve?

Toni Veikkolainen: Është një zonë shumë e prirë ndaj tërmeteve. Më 21 shtator të këtij viti ka pasur po ashtu tërmet atje. Nuk ka qenë i fuqishëm si ky, nuk ka pasur të vdekur, por ka pasur mbi 100 njerëz të plagosur. Në këtë zonë ka pasur shumë tërmete historike, sepse është shumë pranë kufirit të pllakave (tektonike) midis Euroazisë dhe Adriatikut.

Në Shqipëri po vazhdojnë dridhjet e tokës. Sa mund të zgjasin ato?

Toni Veikkolainen: Ato mund të zgjasin disa ditë. Dridhjet që pasojnë pas tërmetit të parë, mund të jenë edhe të magnitudave të larta. Tërmeti në Shqipëri ka qenë 6.4, ndërsa dridhjet që kanë pasuar kanë qenë edhe më të fuqishme se magnituda 4.

Po vendet e tjera të Ballkanit, ku qëndrojnë në raport me pllakat sizmike?

Toni Veikkolainen: Në fakt ato përbëjnë një zonë tipike për tërmete, përfshirë këtu edhe Greqinë, ku sot (e mërkurë) ka pasur një tërmet pranë ishullit të Kretës. Ai po ashtu ka pasur një magnitudë 6, por ka qenë relativisht tërmet i thellë. Tërmeti në Shqipëri ka qenë i cekët dhe, në përgjithësi, tërmetet e cekëta dëmtojnë infrastrukturën.

Cilat vende të tjera në Evropë janë në rrezik nga tërmetet?

Toni Veikkolainen: Vendet në jug të Ballkanit, si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Greqia dhe pastaj, sigurisht, Turqia në lindje. Italia është po ashtu. Me siguri që e kujtoni tërmetin në L’Akuilla të Italisë (në vitin 2009), që e ka shkatërruar gjithë qytetin. Në rrezik janë edhe Spanja dhe Portugalia. Evropa Qendrore dhe Veriore janë më stabile në aspektin sizmologjik. Atje nuk ka shumë aktivitet.

Cili është shpjegimi, pse apo kur ndodhin tërmetet?

Toni Veikkolainen: Ndodhin kur energjia lirohet papritur (në litosferën e Tokës). Energjia atje akumulohet dhe pastaj lirohet. Kjo ndodh më shpesh afër kufirit të pllakave sesa në mes të pllakave.

A mund të parashikohen tërmetet?

Toni Veikkolainen: Jo, tërmetet nuk mund të parashikohen. Për zonat vullkanike ekzistojnë disa pajisje që i masin gazrat vullkanikë, por shumë pak mund të bëhet për parashikimin e tërmeteve. Kur një tërmet ndodh, mund të ndërmerren disa masa për të parandaluar dëmet e mëtejshme nga dridhjet që pasojnë.

Dhe cilat masa mund të ndërmerren për të shmangur pasoja të mëdha?

Toni Veikkolainen: Për të zbutur pasojat e mëvonshme të tërmeteve duhet të ndërmerren veprime të tilla si largimi i njerëzve nga zona apo të ngjashme. Sigurisht, viktimat në njerëz janë gjëja më e frikshme këtu. Ndërtesat mund të ndërtohen sërish, por jetët e njerëzve nuk mund të kthehen.

Çfarë u sugjeroni njerëzve të bëjnë kur ndodh një tërmet?

Toni Veikkolainen: Në përgjithësi nuk duhet qëndruar në vende ku mund të ketë dëme shtesë. Duhet qëndruar në kate të ulëta dhe të ndiqen udhëzimet e autoriteteve. /rel/Telegrafi/