Situata pas reshjeve në Mitrovicë, Peci: Do të marrim të gjitha masat për sigurinë e qytetarëve

Pas reshjeve të dendura të shiut, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka qenë në terren për të vlerësuar gjendjen aktuale së bashku me zyrtarë nga Drejtoria për Menaxhimin e Emergjencave.
“Ne si komunë do të jemi pranë qytetarëve dhe me gjithë mekanizmin në dispozicion. Pas vlerësimit të situatës nga terreni, po marrim të gjitha masat e nevojshme për intervenim”, tha Peci në një postim në Facebook.
Ai theksoi se në të ardhmen, çdo projekt i investuar nga Komuna do të planifikohet në mënyrë adekuate për të minimizuar në maksimum rreziqet e tilla potenciale.
“Qytetarët të jenë të qetë, gjendja është nën kontroll dhe drejt përmirësimit”, shtoi kryetari i Mitrovicës.
Komuna e Mitrovicës paralajmëron se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të ndërhyjë në kohë reale për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe të pronave. /Telegrafi/


































