Ushtria ukrainase gjatë mbrëmjes së kaluar me sistemin raketor amerikan HIMARS, ka hedhur në erë një depo ushtarake në Nova Kakhovk në rajonin e Khersonit.

Për fuqinë e shpërthimit tregojnë më së miri pamjet e orëve të para të mëngjesit, dhe nga ajo çfarë ka mbetur nga depoja që është hequr nga faqja e dheut, transmeton Telegrafi.


Serhii Hlan, këshilltar i administratës rajonale të Khersonit, ka konfirmuar se ushtria ukrainase ka hedhur në erë depon e municionit në Nova Kakhovk.

Gjithashtu janë fotografitë e publikuara që tregojnë masën e shkatërrimit nga ky shpërthim, ku qyteti me një fjalë është përfshirë nga një “top i zjarrtë” që u ngrit në ajër pas shpërthimit.

Ky sulm shumë po e përshkruajnë si goditje të fuqishme ndaj ushtrisë ruse në jug të vendit, dhe nënkupton se ukrainasit kanë filluar ofensivat me qëllimin e vetëm – largimin e ushtrisë ruse nga territori i Ukrainës.

Ishte edhe presidenti ukrainas, që një ditë më parë paralajmëroi se tërheqja e trupave nga territori i Ukrainës është i pashmangshëm. /Telegrafi/