Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) kërkon urgjentisht që Kuvendi i sapo konstituuar të ndërhyjë për të siguruar alokimin e buxhetit për RTK-në, në mënyrë që të shmanget përsëritja e situatës së muajit gusht, kur punëtorët mbetën pa paga dhe funksionimi i transmetuesit publik u rrezikua.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se SPERTK ka bërë kërkesë zyrtare në adresë të Bordit dhe Menaxhmentit të RTK-së në fillim të muajit tetor lidhur me pagesat e punëtorëve, por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje.


"Prandaj, kërkojmë publikisht transparencë dhe njoftim të qartë për gjendjen e pagave. Sindikata nuk paragjykon asnjë situatë lidhur me buxhetin, por kërkon përgjegjësi dhe transparencë për këtë çështje, pasi paga është e drejtë ligjore dhe kërkesë legjitime për punën që kanë kryer të gjithë punonjësit e RTK-së", thuhet në njoftim.

Ndërkaq, siç thuhet në njoftim, aktualisht RTK gjendet në procese të rëndësishme programore dhe zhvillimore, ndërsa mungesa e buxhetit rrezikon seriozisht vazhdimin e këtyre projekteve dhe stabilitetin e institucionit publik.

"SPERTK kërkon nga Kuvendi të veprojë menjëherë për:

• Alokimin e buxhetit 2025 për RTK-në, për të shmangur çdo vonesë në paga;

• Kompletimin urgjent të Bordit të RTK-së, për të mundësuar funksionimin me kuorum të plotë;

• Rritjen e buxhetit për vitin 2026, për zhvillim institucional dhe programe cilësore sipas standardeve evropiane.

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të dalë shumë shpejt me qëndrime dhe veprime ligjore, nëse mungesa e përgjegjësisë institucionale vazhdon dhe punëtorët mbeten pa trajtim të dinjitetshëm financiar", thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje siç bëhet e ditur në njoftim ata kërkojnë ndërhyrje urgjente të Kuvendit për të garantuar stabilitet financiar, funksionalitet institucional dhe mbrojtje të të drejtave të punëtorëve të RTK-së. /Telegrafi/