Sindikata e Policisë së Kosovës thotë se me shqetësim të vazhdueshëm, ka ndjekur praktikat e fundit të raportimit mediatik dhe publik në lidhje me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, sidomos në raste tragjike ose incidente që janë ende nën hetim.

“Së pari, dëshirojmë të theksojmë rastin e Rreshterit Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator 2023 gjatë një sulmi terrorist në Veri të vendit. Deklarimi i fundit në një medium publik të vendit nga gazetari Branislav Krstiq, që mohon rënien e heroit, është i papranueshëm dhe përbën fyerje të rëndë ndaj kujtimit të tij dhe ndaj sakrificës së heroit, rreshterit Afrim Bunjaku”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës.


Po ashtu, kanë përmendur edhe vrasjen e rreshterit, Muhamet Lika, në krye të detyrës dhe sipas tyre tentativa e fundit për ta përfshirë në teori konspirative rreth vrasjes së tij, përbën përpjekje të papranueshme për devijimin e hetimeve dhe njollosjen e figurës së tij dhe të institucionit që ai i shërbeu me nder.

Një tjetër shqetësim serioz, Sindikata e Policisë së Kosovës përmend publikimin e menjëhershëm në media dhe rrjete sociale të emrave dhe fotografive të pjesëtarëve të policisë të përfshirë në ndonjë rast, ndërkohë që proceset hetimore nuk kanë përfunduar.

Sindikata kërkon që, nëse ndonjë zyrtar shfaqet në media pa të drejtë dhe më pas shpallet i pafajshëm, të bëhet demant publik dhe korrekt, me të njëjtin intensitet me të cilin është dhënë lajmi fillestar.

Sindikata e Policisë së Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të çdo pjesëtari të saj, duke thënë se mbeten të hapur për bashkëpunim me të gjitha mediat që veprojnë me profesionalizëm dhe objektivitet. /Telegrafi/