Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar nga Partia Laburiste, Alex Sobel.

Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me fokus të veçantë në thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Palët shkëmbyen pikëpamje edhe mbi zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon.


Një temë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe vizita e Sekretarit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, David Lammy, në Kosovë në fillim të muajit prill, e cila u vlerësua si sinjal i fortë i mbështetjes së vazhdueshme britanike.

Kryeministri Kurti e informoi deputetin Sobel për të arriturat e qeverisjes gjatë katër viteve të fundit, duke theksuar përparimin në ekonomi, punësim dhe sektorin social, përkundër sfidave globale.

Ai e falënderoi Sobel për vizitën dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në përkrahje të Kosovës. Në takim ishte e pranishme edhe deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Fitore Pacolli./Telegrafi/