Nga: Kolegjiumi i ditores Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Vdekja e Chuck Norrisit [10 mars 1940 – 19 mars 2026] në moshën 86-vjeçare do të shoqërohet me homazhe që përfshijnë breza të tërë, jo vetëm sepse ishte yll i vërtetë i filmave aksion, por edhe sepse “jeta e tij e dytë” si figurë kulturore erdhi përmes internetit të hershëm.


Ai u prezantua te miliona adhurues më të rinj si një nga ikonat e para, të njohura në mënyrë universale, të memeve.

Shumë kohë përpara se memet të bëheshin gjuhë kryesore e politikës dhe kulturës, Norrisi ishte ndër figurat e para publike që u shndërrua në diçka të re: në një mit dixhital.

Ky mit funksionoi, sepse kishte një bazë shumë të fortë në realitet.

Norrisi hyri në Holivud me një histori dhe origjinë nga jeta reale që ishte e rrënjosur në Amerikën e Luftës së Ftohtë.

Ai shërbeu në Forcat Ajrore të ShBA-së si polic ushtarak, zbuloi artet marciale kur ishte i stacionuar në Korenë e Jugut dhe më pas ndërtoi një karrierë konkurruese që ia dha fortësisë së tij në ekran një besueshmëri të cilën shumica e yjeve të aksionit kanë mundur vetëm ta imitonin.

Fortësia e tij ishte më shumë se një performancë. Ajo ishte e fituar me mund dhe e dokumentuar mirë. Ky dallim kishte rëndësi më vonë, sepse mitet më të qëndrueshme kanë thelb të së vërtetës.

Para se Norrisi të bëhej emër i njohur në çdo shtëpi, ai veçse ishte një figurë legjitime në artet marciale. Ai ishte kampion që e ktheu suksesin në gara në një karrierë në Holivud, jo thjesht si një aktor me muskuj dhe me goditje të inskenuar.

Ky autenticitet është arsyeja pse ai ishte model kaq i lehtë për internetin. Një meme ka nevojë për një sinjal të dallueshëm dhe sinjali i Norris ishte i thjeshtë: ky njeri duket sikur mundet.

Rruga e tij drejt arteve marciale mbartte gjithashtu një lloj rrëfimi që amerikanët e lexojnë instinktivisht si ndërtues karakteri. Ai ishte ushtarak që zbulon disiplinën jashtë vendit dhe kthehet në atdhe me qëllim.

Rrëfimet për vitet e tij në Forcat Ajrore theksojnë vazhdimisht Bazën Ajrore “Osan” në Korenë e Jugut, si vendin ku ai u stërvit seriozisht për herë të parë, duke kaluar nga xhudo në Tansudo.

Narrativa e fortësisë së fituar u bë pjesë e identitetit të tij publik, më pas e përforcuar nga retrospektivat që theksojnë thellësinë e tij në disa disiplina.

Holivudi nuk e shpiku besueshmërinë për Norrisin; ai thjesht paketoi atë që tashmë ekzistonte.

Filmat e tij të hershëm ndihmuan audiencën të shihte atë që qarku i turneve tashmë e dinte, por një rol e kristalizoi imazhin e tij si një pengesë e besueshme njerëzore: paraqitja e tij si kundërshtari Colt i Bruce Leesë në filmin The Way of the Dragon (1972).

Statusi i Leesë ngriti lart të gjithë ata që ishin përreth tij. Por, për Norrisin në veçanti, kjo e vendosi atë si një nga të paktët performues amerikanë që dukej i barabartë në artet marciale, jo thjesht si një figurë dytësore.

Nëse Bruce Lee i dha Norrisit besueshmëri, televizioni i dha një prani të vazhdueshme në ekranet e amerikanëve, dhe kjo ndjesi qëndrueshmërie është mënyra si krijohen ikonat.

Në vitet 1990, Walker, Texas Ranger e fiksoi imazhin e Norrisit si një ritual javor.

Ai ishte ligjvënësi që rikthen rendin përmes disiplinës dhe jo dyshimit. Cordell Walker funksiononte si një përkufizim i thjeshtë moral: komuniteti kërcënohet, kërcënimi ballafaqohet dhe në fund gjithçka rikthehet në rregull.

Thjeshtësia e serialit e bëri Norrisin të kuptueshëm si simbol kulturor. Ai nuk kishte nevojë të përdorte ironi apo humor për të zbutur figurën e tij. Tërheqja ndaj tij qëndronte në seriozitetin e drejtpërdrejtë.

Ishte një siguri e qetë, kompetencë fizike dhe ndjenja se autoriteti, kur mishërohet siç duhet, është stabilizues dhe jo i dyshimtë.

Me fjalë të tjera, Norrisi nuk ishte thjesht i fortë. Ai ishte fortësia që të jepte siguri. Dhe, ky është pikërisht lloji i figurës kulturore që interneti i hershëm pëlqente ta ekzagjeronte.

Sa më i fortë dhe serioz të ishte sinjali fillestar, aq më qesharak bëhej ekzagjerimi. Një vijë e drejtë është më e lehtë për t’u kthyer në një hark të përsosur.

Transformimi dixhital erdhi në mesin e viteve 2000, kur komunitetet onlajn kapën këtë siguri të palëkundur të Norrisit dhe e ekzagjeruan në absurditet përmes “fakteve të Chuck Norrisit”.

Këto ishin pretendime argëtuese dhe lehtësisht të riprodhueshme për pathyeshmërinë e tij, të rrënjosura në imazhin e tij si “djalë i fortë”, duke e ngritur atë në një nivel të mitologjisë komike. Ishin copëza të vogla folklori të dizajnuara për t’u kopjuar dhe shpërndarë në epokën dixhitale.

Chuck Norrisi nuk fle. Ai pret.

Chuck Norrisi ka dy shpejtësi: ecje dhe vrasje.

Gripi çdo vit merr një vaksinë kundër Chuck Norrisit.

Ky format u shfaq herët, përpara se fjala “meme” të bëhej një term universal siç e përdorim sot, dhe ndihmoi në krijimin e gramatikës së humorit në internet.

Fjali të shkurtra, strukturë e përsëritur, ekzagjerim në rritje dhe krijimtaria kolektive funksionuan shumë mirë onlajn. Interneti po e përdorte Norrisin si një njësi simbolike fuqie.

E rëndësishmja është se miti nuk u shkëput kurrë plotësisht nga njeriu edhe kur e tejkaloi atë duke e kthyer nga një “djalë i fortë” në një figurë pothuajse hyjnore si Herkuli.

Norrisi mbeti i dallueshëm dhe i qëndrueshëm - një figurë aksioni me siguri morale - ndërsa interneti e mbështolli me shtresa të ironisë dhe gjithëfuqishmërisë.

Memeja ishte globale. Nuk ishte e nevojshme të njihje filmat e tij për ta kuptuar shakanë. Mjaftonte të njihje arketipin.

Edhe pse ka kaluar kulmin e saj, memeja nuk u zhduk kurrë plotësisht. Ajo do të mbijetojë pas vdekjes së tij dhe do t’i japë Norrisit një jetë pas vdekjes në imagjinatën e pafund të internetit.

Sepse, siç e dimë të gjithë nga faktet, Chuck Norrisi vërtet nuk mund të vdesë. /Telegrafi/