LAJMI I FUNDIT:

Si të lexosh Tolstoin dhe Dostojevskin kur Rusia lufton kundër Ukrainës?

Si të lexosh Tolstoin dhe Dostojevskin kur Rusia lufton kundër Ukrainës?

Nga: Ani Kokobobo
Përktheu nga rusishtja: Bujar Hudhri

Kur jep mësim letërsinë ruse, madje në këtë kohë, kur kultura ruse në krejt botën “po hiqet”, vazhdon ta perceptosh botën përmes prizmit të romaneve, tregimeve, vargjeve dhe pjesëve të krijuara nga shkrimtarët rusë. Kur ushtria ruse kryen akte të panumërta dhune në Ukrainë, kur ndeshesh edhe me shembuj të një ashpërsie barbare, të tillë si vrasjet e banorëve paqësorë në Buça, diskutimi se si të sillemi me letërsinë ruse është kryekreje i ligjshëm. Nuk shqetësohem se në njëfarë mënyre mund të shmangim veprat e shquara të artit. Ato vepra, të cilat e kanë kapërcyer kohën e tyre dhe mbeten aktuale për brezat e rinj gjithmonë, që pasardhësit përmes prizmit të tyre mumd t’i shohin në mënyrë kritike problemet e realitetit që i rrethon. Me këtë cilësi janë pajisur të gjitha veprat e mëdha të letërsisë ruse, por, si studiuese e krijimtarisë së Tolstoit dhe Dostojevskit, dëshiroj të ndalem pikërisht tek trashëgimia e këtyre shkrimtarëve më të njohur rusë përtej kufijve.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kritiku gjerman Theodor Adorno e përshkroi Holokaustin si një disfatë globale të kulturës dhe filozofisë perëndimore, madje shkoi aq larg sa shtroi pyetjen: a mund të kishin aftësinë qeniet njerëzore “të jetonin pas Aushvicit”? Ky mendim ka lindur në një kontekst të veçantë të Holokaustit dhe nuk mund ta përdorim assesi për situatën e sotme. Por, duke medituar për moralin që e udhëheq Adorno, nuk mund të mos mendoj se si mizoria në Buça dhe shembujt e tjerë të ashpërsisë barbare të luftëtarëve rusë në Harkov, Mariupol, në rrethinat e Kievit po ndikojnë në perceptimin tonë për letërsinë ruse.


Përballimi i vuajtjes me sytë çelur

Kur mësoi se shkrimtari rus Ivan Turgeniev kishte kthyer kokën mënjanë në çastin e fundit, duke qenë dëshmitar i një ekzekutimi me vdekje, Dostojevski shprehu qartësisht pozicionin e tij në këtë rast: “Njeriu mbi këtë tokë nuk ka të drejtë të kthejë shpinën dhe të injorojë se çfarë po ndodh në tokë, dhe ka arsye të larta morale për këtë.”

Në romanin Vëllezërit Karamazov më 1880, Dostojevski në mënyrën më radikale vendosi para lexuesit dilemën morale të vuajtjes së fëmijëve. Kur lexon se si banorët e Mariupolit kanë vuajtur urie prej bombardimeve të artilerisë ruse, kur sheh rrënojat e teatrit mariupolas, në bodrumet e të cilit u strehuan fëmijët prej bombave, do të më interesonte të merrja vesh se ç’do të thoshte me këtë rast Dostojevski. Fjala “fëmijë” ishte shënuar në trotuarin pranë teatrit me germa kapitale që të mund të lexohej qartë nga ajri, ndaj nuk mund të kishte keqkuptime se kush ndodhej në ndërtesë.

Për Ivan Karamazovin, heroin kryesor të romanit të Dostojevskit, ideja kristiane e faljes dhe e pajtimit nuk quhet përgjigje bindëse për pyetjen morale të përgjegjësisë për të keqen. Në diskutime me heronj të tjerë Ivani shpesh sjell shembuj të traumatizimit të fëmijëve, duke i detyruar kësisoj bashkëbiseduesit të pranojnë dhe të kuptojnë faktet e mizorive, çka do të na çonte në rishqyrtimin e vetë bazave të sistemit etik. Pa dyshim, Dostojevski po ashtu nuk do të mund t’i shmangej faktit të bombardimit të qëllimshëm të fëmijëve në Mariupol. A do të mundej ai të vijonte të mbronte idenë e ligjit natyror moral te njeriu rus pas ngjarjeve në Buça, kur të shihte kufomat e pafajshme të burrave, grave dhe fëmijëve?

Ndërkohë, lexuesit nuk duhet të mbyllin sytë në anët e shëmtuara të filozofisë së Dostojevskit, në idenë e tij “të Rusisë së zgjedhur”. Dogma për Rusinë e madhe dhe mesianizmin rus, që promovoi Dostojevski, është e lidhur me shumë rryma globale ideologjike, të cilat justifikuan veprimet kolonizuese të Rusisë në të shkuarën. Kjo dogmë justifikon edhe politikën e sotme të jashtme të Rusisë, duke përfshirë realizimin në praktikë të kësaj politike në Ukrainë. Megjithatë, Dostojevski ka qenë edhe një mendimtar-humanist i shquar, ideja e tij për Rusinë e madhe është e pandashme nga reflekset e vuajtjeve dhe besimit rus. Natyrisht, për njeriun që u internua për pesë vjet në Siberi vetëm se kishte marrë pjesë në një klub libri që glorifikonte socializmin, do të ishte e natyrshme t’i vishte çdo vuajtjeje një vlerë shpirtërore. Personaliteti i Dostojevskit u formua nën ndikimin e përvojës vetjake, por e pamundur që justifikimi i vuajtjes për të do të përhapej në një terror, të organizuar nga shteti.

Në Krim e ndëshkim Dostojevski përshkruan me detaje taksën e krimit për vetë kriminelin. Sipas tij, vrasësi, pasi ka marrë jetën e huaj, pashmangshmërisht vret me këtë rast edhe një pjesë të vetes. A do ta pranonte Dostojevski vizionin putinist të Rusisë? Do ta tmerronin ngjarjet në Ukrainë më të madhin rebel metafizik të Rusisë Dhe kryesorja, a do të protestonte kundër dhunës ruse mbi Ukrainë? Shpresoj që do të bënte po ashtu si shumë shkrimtarë bashkëkohës rusë. Por propagandën e Kremlinit – e përhapur gjithandej – shumë rusë e kanë bërë pjesë të tyren. Në Rusi, po ashtu, ka jo pak nga ata që thjesht e injorojnë se çfarë po ndodh në vendin fqinj.

Shtegu i Tolstoit drejt pacifizmit

Nuk ka shkrimtar që do të reagonte më ashpër ndaj militarizmit sesa Tolstoi, njeri i cili në përvojën e tij ka njohur fatin e ushtarit, duke mbetur pacifist i përhershëm. Në veprën e tij të fundit, në novelën Haxhi Murati, Tolstoi kritikon rreptë ekspansionin kolonial të Rusisë në Kaukazin Verior, duke rrëfyer se si dhuna e pamëshirshme mbi çeçenët do të çonte menjëherë në urrejtjen për pushtuesin.

Në kohën e të gjitha luftërave, pa përjashtuar edhe botëroren e dytë, në Rusi bëhej rileximi i romanit më të njohur të Tolstoit, Lufta dhe paqja. Aty Tolstoi pohon se kyçi i fitores në luftë është morali i ushtrisë ruse. Kur ushtarët mbrojnë tokën e tyre, atëherë ata kanë më shumë shanse për fitore, sepse ushtarët e kuptojnë përse po luftojnë dhe çfarë po mbrojnë. Madje, edhe kur përshkruan luftimet mbrojtëse, Tolstoi tregon besnikërisht përjetimet e mundimshme të ushtarëve të rinj në moshë, të cilët ndeshen ballë për ballë me makinën e vdekjes. Ata humbasin në turmën e batalionit, por, në fund të fundit vdekja e një ushtari tregohet si një pikëllim i pangushëllueshëm për familjen, që mezi pret kthimin e tij në shtëpi.

Pas botimit të romanit Lufta dhe paqja, Tolstoi dënoi publikisht shumë fushata luftarake ruse. Pjesa e fundit e Ana Kareninës fillimisht nuk u botua për këtë arsye, sepse në roman kritikoheshin veprimet e Rusisë në luftën e radhës ruso-turke. Heroi i romanit, Konstantin Levini, prototipi i të cilit, sikundër thuhet, ishte vetë Tolstoi, e quan hyrjen e Rusisë në këtë luftë si “një masakër” dhe nxjerr verdiktin: njerëzit rusë nuk duhet të marrin pjesë në të. “Populli sakrifikon dhe është gati të sakrifikojë për shpirtin e tij dhe jo për të vrarë”, – shprehej Tolstoi.

Në vitin 1904 Tolstoi shkroi një letër të hapur duke dënuar luftën ruso-japoneze: “Përsëri luftë. Përsëri vuajtje që askujt nuk i nevojiten, nuk i kërkon kush, përsëri gënjeshtër, përsëri idiotësi e përgjithshme, brutalizim i njerëzve.” Vetë titulli i kësaj letre – Thirrini mendjes! – tingëllon si një britmë që Tolstoi ua drejton bashkatdhetarëve të tij sot.

Librat e Tolstoit dhe Dostojevskit nuk mund t’i ndalojnë veprimet e ushtrisë ruse në Ukrainë, por ata në njëfarë mase janë ngulitur në të kulturën ruse dhe ka shumë rëndësi se si ata lexohen sot.

Në një nga tekstet pacifiste më të njohura të tij, në esenë e vitit 1900 Mos vrit, Tolstoi ka diagnostikuar saktësisht problemin e Rusisë së sotme: “Mjerimi i njerëzve vjen jo nga persona të veçantë, por nga ajo strukturë e tillë e shoqërisë, nën të cilën të gjithë njerëzit janë aq të lidhur me njëri-tjetrin, sa të gjithë ndodhen në pushtetin e disa njerëzve, ose, më shpesh, të një njeriu, i cili ose të cilët janë kaq të mbrapshtë me këtë pozitën e tyre të panatyrshme si arbitër të fatit dhe jetës së miliona njerëzve, i cili kurdoherë ndodhet në një gjendje të sëmurë dhe kurdoherë vuan shumë apo pak prej manisë së vetëmadhështisë.”

Rëndësia e aksionit

Nëse Dostojevski e quan të drejtë të mos e injorosh të keqen dhe padrejtësinë, atëherë Tolstoi u bën thirrje njerëzve të veprojnë, duke u nisur nga ajo se çfarë kanë parë. Në kohën e urisë ruse 1891-1892 Tolstoi organizoi shpërndarjen e supës fshatarëve, për të cilët qeveria ruse nuk e quante të nevojshme të kujdesej. Ai u përpoq t’u ndihmojë atyre rusëve, të cilët shmangeshin nga detyrimi ushtarak, vizitonte në burgje të arrestuarit pse nuk donin të luftonin. Paratë e fituara nga shitja e romanit Ringjallja Tolstoi i shpenzoi në ndihmë të pjesëtarëve të sektit të krishterë duhobor (një sekt pacifist, fetar, që lindi në Rusinë e shekullit XVIII – shën. i përkth.), të cilët përpiqeshin të emigronin në Kanada, për t’i shpëtuar detyrimit që të luftonin në radhët e ushtrisë ruse. Këta dy shkrimtarë pak gjëra të përbashkëta kanë me ideologjinë e justifikimit të luftës së sotme. Ata nuk mund të ndalojnë apo të zbusin veprimet e ushtrisë ruse në Ukrainë, por në njëfarë mase të ngulitur në kulturën ruse dhe i japin një kuptim se si librat e Dostojevskit dhe Tolstoit lexohen sot. Jo sepse letërsia klasike ruse mund të shpjegojë se çfarë po ndodh sot – ajo nuk ka forcë ta bëjë këtë. Por sepse, sikundër ka shkruar një shkrimtar ukrainas, Sergej Zhadan, lufta kundër Ukrainës shënoi në vetvete disfatën e traditës humaniste ruse. Kjo kulturë po pajtohet me ato që ushtria ruse pa dallim bombardon dhe asgjëson ukrainasit. Kështu që shkrimtarët e shquar rusë duhen lexuar në mënyrë kritike, me synimin se si të ndalohet dhuna. Lideri i opozitës ruse Aleksej Navalni ka shkruar që Tolstoi u kishte bërë thirrje bashkatdhetarëve të luftojnë despotizmin dhe luftën, sepse njëra pjell tjetrën. Kurse artistja ukrainase Alevtina Kahidze ka cituar romanin Lufta dhe paqja në ditarin e saj grafik: “E kam lexuar letërsinë tuaj artistike. Ka të ngjarë që Putini nuk e ka lexuar dhe ju e keni harruar.” /Gazeta “ExLibris“/