“Si u kalit çeliku” është vepra e shkrimtarit rus Nikolay Ostrovsky ku përshkruhet jeta e një të riu revolucionar, simbol i forcës së brendshme të krijuar me vështirësi siç bëhet përpunimi i këtij metali. Kalitja është proces i bërë përmes ngrohjes dhe shuarjes. I tillë është Fatmir Limaj - komandant Çeliku.

Për Kosovën ka bërë shumë. Si i ri është kalitur herët. Herët e kishte ndarë mendjen se liria vjen vetëm nëpërmjet luftës. Bashkë me vëllanë kryen qysh në fillim të }90-tave në qendër të Prishtinës një sulm ndaj një eksponenti të njohur gjatë regjimit të Milosheviqit.


Hjekat e tij e familjes nuk u ndalën. U rreshtua në luftë me bindjen se do të vjen liria. Liria erdhi dhe i kushtoi me ballafaqim me drejtësinë në Tribunalin e Hagës dhe dëshmoi pafajësinë. Iu rrekë politikës dhe ishte figurë e lartë në partinë e dalë nga lufta. Edhe në politikë u ballafaqua me akuza për korrupsion dhe prapë dëshmoi pafajësinë.

Kur vendosi të ndahet nga PDK-ja, filloi të brishtet. Mbijetoi politikisht falë votës së rajonit nga vjen. Erdhi koha të shkrihet. Pasi nuk arriti të gjejë strehim te ndonjë parti, do të garojë i vetëm në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Koka e tij e çeliktë edhe në politikë po i kushton me moskalim të pragut dhe larg ulëseve të Kuvendit e larg së qeni faktor.

Pati mundësinë të bëjë koalicion me Kurtin, por kërkesat e tij sikur nuk hasën në admirim. Me AAK-në u ndan menjëherë pas zgjedhjeve. As tentimi të lidhet me LDK-në nuk pati sukses. Kishte kërkuar shumë si duket. Edhe krahu pacifist që dominon në LKD e kanë refuzuar.

Dështoi edhe me PDK-në, edhe pse kishte dëshirë bashkimi, ngase iu frikësuar se do t’ua marrë partinë. Edhe pse i dëshpëruar, tha se rrugët nuk kanë përfunduar dhe ka shpresë të ketë ulëse dhe me shokët e shoqet e dikurshëm të ndryshojë qeverisjen.

Çelilku u kalit, dhe fraza metaforike e ndërtimit të karakterit nëpërmjet vështirësive që sjell jeta, në politikë e kthen në procesin e shuarjes nëpërmjet ngritjes së temperaturave të larta. Dhe, është në fazën e shuarjes, kthimit në harkim.

Do të mbetet politikani më i përfolur i përzier në korrupsion. Nga çlirimtar e hero në notues mesatar në politikë. Nga një ministër që ndërtoi rrugët me një kosto të lartë për kohën, nga njohuria për devijimin e trasesë së autostradës, deri te ndarja përfundimtar me Hashim Thaçin e deri te hapërimi si i vetmuar. Me hipotekën e përfituesit nga asfalti dhe me stigmën se EULEX-i e hetoi për korrupsion.

NISMA e tij që në skenë të ketë një socialdemokraci dështoi. Diskursi i shtrembëruar shpesh dhe deklaratat përherë të fryra në formë e pa përmbajtje.

Me vetëbesim se do të fitojë e lëre më të mendojë për kalimin e pragut. Ky vetëbesim i tepruar, i bazuar në dëshirën për të qenë me çdo kusht në politikë, si dhe disa komandantëve të dalë nga lufta, po vyshket!